E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZMK proteston kundër rritjes së çmimit dhe abuzimit me faturat e energjisë elektrike

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve do të organizojë një protestë publike kundër rritjes së çmimit dhe abuzimit me faturat e energjisë elektrike. Prej disa ditësh, zyrtarë të Bankës Botërore duke favorizuar në mënyrë të hapur biznese të huaja që duan të zhvatin konsumatorët shqiptarë ka pretenduar se Shqipëria duhet të rrisë çmimin e energjisë elektrike deri në 15 %. Rritja e çmimit të energjisë elektrike u paralajmërua në 14 Prill 2009 nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Demetrious Papathanasiou, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë e Financave. Sipas BB rritja e çmimit do të varionte nga niveli minimal 8-9 % në nivelin maksimal 15 % dhe këto tarifa parashikohen të hyjnë në fuqi në 2010. Në asnjë vend të botës një institucion ndërkombëtar nuk mund të ndërhyjë pranë sovranit dhe të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike të një kompanie private! Në asnjë vend të botës Banka Botërore nuk do të tolerohej që të guxonte dhe të hynte në sallën e Parlamentit të atij vendi për të bërë fakt të kryer rritjen e çmimit të një produkti që ofrohet nga një kompani private kur kjo është e drejtë ekskluzive e një enti rregullator qeveritar. Vetëm në Shqipëri, zyrtarët e Bankës Botërore guxojnë dhe na diktojnë çmimin që duhet ti paguajmë biznesit të huaj.
Por ky lobim i paligjshëm i zyrtarëve të huaj në Shqipëri është pjesë e praktikës së ndërhyrjeve korruptive të disa zyrtarëve dhe diplomatëve të huaj që prej 18 vitesh kanë krijuar fushat e tyre të interesave financiare korruptive duke ndërhyrë në privatizime që kanë konkluduar në vjedhje ta parave të Shqiptarëve. Rasti më i fundit ku një zyrtar i lartë i Bankës Botërore i kërkon shqiptarëve të paguajnë më shumë për një kompani të huaj është një rast tipik i përfshirjes së qarqeve të caktuara të institucioneve ndërkombëtare në afera financiare. Siç dihet, Komisioni parlamentarë i Ekonomisë, ditë e Martë në 14 Prill, miratoi kontratën e privatizimit të 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës kanë deklaruar se pas miratimit të kontratës nga Parlamenti se kompania çeke CEZ, fituese në tenderin e hapur ndërkombëtarë do të derdh në buxhet shumën prej 102 milion eurosh. Ata kanë shpjeguar se në këtë shumë përfshihet vetëm vlera e aksioneve dhe jo borxhet e kompanisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës kanë deklaruar se një ndër objektivat që i është vendosur pronarit të ri të OSSH-së është ulja e nivelit të humbjeve me 8 për qind në dy vitet e parë që do të marrë nën administrim Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Sipas këtyre të dhënave Kompania Çeke duhet të ulë nivelin e humbjeve me 8% por kërkesa për rritjen e çmimit bëhet e paarsyeshme kur vetë fitimi i kompanisë do të rritej dukshëm nga ulja e vjedhjeve në rrjet. Planit absurd për rritjen e çmimit në dëm të konsumatorëve shqiptarë i shtohet edhe një situatë shumë e rëndë e vjedhjeve që po i bëhen për ditë konsumatorëve shqiptarë nga faturat e fryra në mënyrë fiktive që po i vijnë çdo ditë. Ankesa të shumta kanë mbërritur për ditë pranë Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve nga e gjithë Shqipëria nëpërmjet ankesave të drejtpërdrejta në Zyrë në Tiranë, në e-mail, dhe telefon. ZMK prej muajsh po përgatit një Lëvizje Konsumatore për rivlerësimin e të gjithë kontratave tip që konsumatorët shqiptarë detyrohet të firmosin në mënyrë të njëanshme me kompanitë e mëdha të biznesit në fusha të ndryshme shërbimesh, ku kontrata e konsumatorëve me OSSH-në duhet rishikuar zë për zë pasi nuk është konform legjislacionit të ri të konsumatorëve që ka hyrë në fuqi në 2008 dhe si pasojë e privatizimit të vetë sektorit të shpërndarjes së energjisë. Për të gjitha këto arsye, ZMK do të organizojë një protestë të konsumatorëve shqiptarë ditën e Mërkurë në dt. 22 Prill përballë Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›