Lezhë, Rama: Programi socialistëve do të nxjerrë shqiptarët nga varfëria
Kryetari i PS, Edi Rama ka vazhduar prezantimin e programit të ri qeverisës në qytetin e Lezhës. Lideri i opozitës ka prekur çështjet sociale, si një prej 7 shtyllave të programit, i cili do të prezantohet në vijimësi në të gjithë Shqipërinë. Sipas Ramës, ndihma ekonomike që qeveria jep për shtresat në nevojë, nuk është më shumë se 40 cent në ditë. Rama ka premtuar se me krijimin e Fondit të Integrimit Social, do të krijohet mundësia e formimit profesional, çka më pas do të sjellë edhe rritjen e punësimit të këtyre njerëzve që përfitojnë ndihmë ekonomike.
Ka familje që kanë më shumë se 10 vjet që jetojnë në papunësi vetëm me ndihmë ekonomike. Tentativat e pakta per ta kthyer asistencën sociale në skemë aktive kanë dështuar, u shpreh Rama. Ai deklaroi se PS do të rikonceptojë programin e Ndihmës Ekonomike. Sipas tij, shqiptarët nuk do të marrin më ndihmë në formë lëmoshe, po ndihmë për punësim. Rama deklaroi se në vend të programit të Ndihmës Ekonomike do të krijojë Fondin e Integrimit Social. Sipas tij, për përfituesit e ndihmës ekonomike PS do të ofrojë shërbime të formimit profesional brenda vitit 2010. Këto shërbime do të rrisin punësimin. Sipas Ramës, edhe pse niveli i varfërisë është 2 dollarë në ditë, programet e ndihmës ekonomike nuk i japin shqiptarëve të varfër më shumë se 40 cent në ditë. Qeveria nuk arrin pra të zbusë as varfërinë ekstreme, tha Rama. Ai deklaroi se Programi i Integrimit Social do të mundësojë që brenda vitit 2010 familjet e varfra të përfitojnë 50 % më shumë . Rama tha se në vitin 2011 përfitimi i ndihmës do të jetë dyfishohet. Deri në fund të mandatit të parë përfitimi i ndihmës ekonomike do të jetë 4 herë më i madh. Kryesocialisti theksoi se Programi i ri qeverisës i socialistëve do të përgjysmojë numrin e familjeve që sot janë të varfra duke nxitur punësimin e tyre.