E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zakeroni: Një cikël të ri te Juve

Ferrara largohet nga stoli bardhezi, trajneri i ri fillon menjëherë punën
Alberto Zakeroni është trajneri i ri i Juventusit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi bardhezi. Drejtuesi i ri i stolit u paraqit në rrugën “Galileo Ferraris” gjatë mesditës për të hedhur firmën në kontratën 4-mujore (deri në fund të sezonit aktual), ndërsa pas drekës me drejtuesit ai u paraqit në Vinovo, ku u njoh me ambientet stërvitore dhe drejtoi seancën e parë me skuadrën. Me këtë emërim, “Zak” regjistron një “poker” historik, duke qenë se më parë ka punuar te Milani, Interi dhe Torino. Ndërkohë, çiro Ferrara “u lirua nga detyra”. “Klubi i Juventusit ka liruar nga detyra trajnerin çiro Ferrara. Drejtimi teknik i skuadrës i është besuar Alberto Zakeronit”, citohej në deklaratën për shtyp të klubit. Krerët e “Zonjës së Vjetër” synonin të theksonin se Ferrara nuk është shkarkuar nga detyra dhe sipas të gjitha gjasave, ish-mbrojtësi do të emërohet në një post drejtuesi (ose ndoshta do të bëhet trajner në sektorin e të rinjve), duke qenë se kontrata e tij përfundon më 30 qershor të vitit 2011. Ish-trajneri u paraqit rregullisht në ambientet e skuadrës: edhe pse qëndroi vetëm për pak minuta, ai e shfrytëzoi “vizitën” për të përshëndetur futbollistët. Ferrara dhe lojtarët u mbyllën në dhomat e zhveshjes, ndërsa në momentin kur doli, ai dukej mjaft i prekur.
Në orën 15:00, Alberto Zakeroni zhvilloi stërvitjen e parë, ndërsa më pas u paraqit në konferencën për shtyp. Ai do të punojë deri më 30 qershor, periudhë në të cilën sipas planeve të bardhezinjve, në krye të stolit do të emërohet Rafa Benitez. “Tashmë duhet të ndërrojmë faqen: e vlerësoj punën e mëparshme, pasi Juventusi ka paraqitur një futboll fitues, por duhet të njoh më mirë potencialin e skuadrës”, ishin fjalët e para të Zakeronit. “Më pëlqejnë sfidat e reja, tashmë do të nisim një cikël të ri. Kemi një kontingjent mjaft cilësor; nuk di të them sa skuadra janë më superiore se ne. Do të jap ndihmën time për ta kaluar këtë moment të vështirë, por mbi të gjitha jam i bindur se do ta fitoj këtë sfidë”. Presidenti juventin, Zhan Klod Blank, i uroi mirëseardhjen teknikut të ri, por nuk harron të falënderojë Ferrarën: “çiro ka të gjithë mirënjohjen tonë, e vlerësoj në aspektin profesional dhe njerëzor, megjithatë futbolli është i pashpirt dhe në disa raste të detyron të marrësh vendime të dhimbshme”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›