“Kriza,efekte të moderuara në Shqipëri”
Edhe pse një ekonomi në zhvillim Shqipëria nuk mundi të përjashtohet nga efektet e krizës ndërkombëtare financiare. Por në ndryshim nga vendet e tjera, këtë vit ekonomia shqiptare do të pësojë rritje. Edhe pse rritja do të jetë më e ngadaltë nga parashikimi i kryer në fillim të vitit, dhe kjo si pasojë e efekteve të krizës. Gjatë mbledhjes vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u shpreh se, “ekonomia shqiptare ka patur një ndikim më të moderuar të krizës botërore. Megjithëse është vënë re një ngadalësim, Shqipëria vazhdon të karakterizohet nga norma pozitive të rritjes ekonomike, qëndrueshmëri makroekonomike dhe stabilitet financiar. Perspektiva e saj për të ardhmen është pozitive, ndonëse duhet bërë kujdes i vazhdueshëm për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe të stabilitetit financiar të vendit. Në këtë drejtim, vëmendje i duhet kushtuar dhënies së stimujve të duhur makroekonomikë, të cilët ndihmojnë në përballimin e situatës aktuale, por duke garantuar njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm afatmesëm dhe afatgjatë të vendit”. Guvernatori Fullani nënvizoi se koordinimi i politikave makroekonomike në vend ka qenë një nga kyçet e suksesit të Shqipërisë në të shkuarën dhe vazhdimi i tij në të ardhmen do të jetë një faktor thelbësor për ecurinë e mëtejshme të vendit. Gjithashtu, aftësia e vendit për të tërhequr fonde të huaja, në formën e investimeve të huaja direkte, huamarrjes apo të investimeve të kapitalit, do të kushtëzojë ecurinë ekonomike afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit. Zhvillimet në sektorin financiar, në koordinimin e tij në rang botëror dhe në masat e duhura për të promovuar stabilitetin financiar në vend, ishte një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve. Mbledhjet vjetore të FMN-së dhe BB-së u zhvilluan pak ditë më parë në Stamboll, ku merrte pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, njëkohësisht edhe Guvernator i Shqipërisë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të FMN-së dhe të BB-së, pjesëmarrja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ishte e përbashkët me Ministrin e Financave, Ridvan Bode.