E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zaranika, burim i përhershëm përmbytjesh

Elbasan- Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë këto ditë janë shndërruar në makthin e banorëve që banojnë përrëth Përroit të Zaranikës. Prurjet e shumta e tejkalojnë kapacitetin e llogaritur të argjinaturës mbrojtëse. Kjo argjinaturë e betonizuar është ndërtuar rreth viteve ’70 dhe që prej asaj kohe nuk është ndërhyrë më mbi të, përveç ndërtimeve buzë saj.

Shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar jashtë çdo kriteri, duke u bërë kështu viktima të përvitshme të vërshimit të përroit. Shtëpitë janë aq pranë saqë mjaftojnë vetëm 30 minuta shi që të përmbyten oborret dhe katet e para. Përgjatë gjatësisë së saj ka dy ura të mëdha, ku mund të kalojnë dhe automjete, dhe 2 ura të improvizuara nga banorët.

Ne jetojmë çdo ditë me rrezikun se do përmbytemi. Kemi frikën e fëmijëve që luajnë dhe kalojnë çdo ditë buzë saj. Këto ditë kemi vendosur vetë thasë të mbushur para portës nga frika e përmbytjes. Kështu është çdo vit, shtëpitë tona kanë lagështirë të madhe dhe shumë fëmijë i kemi me probleme në frymëmarrje…- na rrëfeu zonja Leta, nëna e dy fëmijëve 8 dhe 12 vjeç.

Banorët akuzojnë pushtetin lokal që nuk mban premtimet e dhëna për këta banorë.”Nuk e njohim deputëtin tonë, nuk dimë kur ka ardhur për herë të fundit për të na parë…askush nuk interesohet për ne.Vijnë vetëm në kohë fushate dhe kaq…- thotë një i moshuar.

E kështu mesa duket do të vazhdojë dhe për disa kohë, derisa dikujt tu bie ndërmënd ky vend i frikshëm. Duket sikur fëmijët e kësaj lagjeje do të notojnë sa herë bie shi në Zaranikë.

Klaudia Kushi/IDEA

No related posts.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›