Bie në liqen makina, një vdekur dhe 4 të plagosur nga një familje
MAT – “Një i vdekur dhe katër plagosur rëndë dhe në gjendje kritike për jetën është”, - ky është bilanci tragjik i një aksidenti që ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 22.00 në aksin rrugor Milot-Burrel. Mjeti tip benz në të cilin udhëtonin pesë persona, thuajse të gjithë anëtarë të një familje, ka përfunduar në lumë, duke sjellë vdekjen e drejtuesit të makinës. Burimet zyrtare të policisë së Matit bëjnë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes, ka rënë në humnerë, për tu zhytur më pas në thellësi të liqenit të Shkopetit një automjet tip benz, duke shkaktuar vdekjen e shtetasit Isuf Ndoj. Sipas tyre, kanë mbetur të plagosur rëndë edhe Veli Ndoj, Kozeta Ndoj, Suzana Ndoj (Disha), dhe Natasha Bruçi. Burimet policore shprehen se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e makinës, por falë faktit që një patrullë policore ka qenë pranë vendit të ngjarjes, është bërë e mundur që të nxirren nga uji katër personat e tjerë.
Aksidenti
Pesë pjesëtarë të familjes Ndoj kanë qenë duke udhëtuar mbrëmjen e së premtes nga Miloti në drejtim të Burrelit. Mjeti tip benz 240 drejtohej nga Isuf Ndoj, kryefamiljari, të cilin e shoqëronte djali, dy vajzat dhe mbesa e tij. Në momentin kur udhëtarët i janë afruar zonës së Ulzës, në sektorin “C”, drejtuesi nuk ka mbajtur dot në kontroll mjetin, pasi dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi të madhe. Për pasojë, makina bashkë me udhëtarët ka rënë në liqenin e Shkopetit. Vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes ka qenë një patrullë e policia rrugore, e cila po ushtronte kontrolle. Efektivat e qarkullimit kanë shkuar menjëherë në vendin ku ndodhej mjeti, duke bërë të mundur nxjerrjen e të gjithë personave që ndodheshin në makinë. Burimet policore shprehen se të plagosurit janë nxjerrë nga uji. Më pas, ata janë dërguar drejt Spitalit Rajonal të Lezhës. Por, gjatë rrugës është ndarë nga jeta Isuf Ndoj, kryefamiljari. Pjesëtarët e tjerë të familjes, pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Burimet zyrtare pohojnë se Veli Ndoj, Kozeta Ndoj, Suzana Dishaj (Ndoj) dhe Natasha Bruçi ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Hetimet
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut pohojnë se dyshohet që mjeti të ketë qenë me shpejtësi të madhe. Kjo ka vështirësuar mbajtjen nën kontroll të mjetit nga shoferi. Makina ka rënë nga një lartësi prej dhjetëra metrash, duke përfunduar në liqenin e Shkopetit, fare pranë hidrocentralit. Aksi rrugor ka probleme të mëdha, pasi është dëmtuar. Duket se shoferi ka tentuar të shmangë ndonjë gropë në mes të rrugës, por ky veprim ka përfunduar me pasoja fatale. Edhe fakti që ka qenë errësirë, pra ora 22 e mbrëmjes, e ka vështirësuar punën e Isuf Ndojt, i cili gjeti vdekjen pa shkuar në spital për shkak të plagëve të rënda që kishte në trup, dhe kohës së gjatë të qëndrimit në ujë. Në lidhje me këtë ngjarje kanë nisur hetimet nga ekspertët e prokurorisë së rrethit Mat. Të afërmit e viktimës janë shprehur të alarmuar për procedurat e zvarritura të ekspertizës mjeko-ligjore në morgun e spitalit të Lezhës. Ata kanë pritur që nga mbrëmja e së premtes, deri paraditen e së shtunës, pasi nuk është paraqitur asnjë nga mjekët për të mbyllur dosjen. Ata kanë akuzuar policinë dhe personelin mjekësor për këto vonesa. Ky është ndër aksidentet më të rënda të ndodhura në këtë aks rrugor që nga fillimi i këtij viti.
TË AKSIDENTUARIT
Isuf Ndoj, 52 vjeç, – i vdekur
Veli Ndoj, 24 vjeç, – i plagosur
Kozeta Ndoj, 18 vjeç, – e plagosur
Suzana Ndoj (Disha ), 20 vjeçe – e plagosur
Natasha Bruçi, 20 vjeçe, - e plagosur
11 Tetor 2008