E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen vjedhjet e bandës “Matrix”

 

Fatos Mahmutaj

Vjedhjet nëpër bankomatë për dy vjet me radhë kanë bërë që të ulen dje në bankën e të akuzuarve 15 të pandehurit e “Matrix 4”. Mbi këta, të cilët u hetuan për gjashtë muaj me radhë nga seksioni i Krimit Ekonomik të Prokurorisë së kryeqytetit, rëndojnë veprat penale “mashtrim” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë. Ndërkohë, veprat penale janë kryer nga këta të akuzuar për një periudhë rreth dyvjeçare dhe në disa qytete shqiptare, si Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Sarandë. Mosgjetja e njërit prej të akuzuarve dhe pamundësia për të qenë në sallë për arsye shëndetësore të një tjetri u bënë shkak që seanca e djeshme të dështonte, ndërsa të akuzuarit e pranishëm dhe ata që kishin pajisur me prokura përfaqësimi në mungesë avokatët paraqitën para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Petrit Çomo gjenealitetet. Ajo që të binte në sy në këtë rast ishte fakti se të gjithë të akuzuarit kishin arsimin e mesëm dhe një pjesë e mirë e tyre ose ishin studentë ose kishin përfunduar edhe studimet e larta. Kështu, në kafazin e të pandehurve ndodheshin të akuzuarit Endrit Gjergjani, Rei Karapici, Kreshnik Luku, Rei Çikani, Anil Gjergjani, Blerim Abazi dhe Indrit Abazi. Kurse të pandehurit Alban Bare, Ledio Doko, Endri Mezuraj, Fatmir Borshi, Flamur Gashi, Klajdi Terolli hetohen nën masat e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitjeje’. I akuzuari Enea Çela nëpërmjet një deklarate pohonte se ndodhej në spital ku kurohej pas një operacioni, ndërsa i pandehuri Fatmir Kolmarku nuk ishte arritur të gjendej. Ky është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa nuk disponohej një adresë e saktë banimi e tij. Gjykata vendosi që të njoftonte avokatin e tij dhe nëpërmjet tij të mundësonte sjelljen në proces të së pandehurit më datë 2 mars kur është caktuar të jetë seanca e radhës. Në kërkesën për gjykim, prokuroria pohon se më datë 25 janar 2008, Prokuroria e Tiranës mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga policia ka regjistruar procedimin penal për kryerjen e veprave penale “vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”. Në vijim është kryer bashkimi i dhjetë procedimeve penale në një të vetëm. Nga materiali kallëzues rezulton se persona të ndryshëm kanë kryer tërheqje parash nga bankomatët e disa bankave me anë të përdorimit të kartave të debitit të falsifikuara. Gjithashtu, rezulton se me anë të përdorimit të këtyre kartave, janë blerë sende në subjekte të ndryshme tregtare. Në kuadër të hetimeve paraprake është vlerësuar se veprimet objekt procedimi, përbëjnë konsumimin e veprave penale “mashtrim” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera në bashkëpunim më shumë se njëherë. Nga aktet e administruara rezulton se në data dhe subjekte të ndryshme tregtare shtetasit Endrit Gjergjani(Laro), Rei Karapici, Kreshnik Luka, Enea Çela, Redi Çikani, Alban Bare, Ledio Doko, Anil Gjergjani (Laro) kanë blerë mallra si telefona celularë, kompjuterë lap-top, veshje dhe shumë sende të tjera, me anë të kartave të debitit të falsifikuara. I njëjti veprim është kryer edhe nga shtetasit Indrit Abazi dhe Blerim Abazi. Po kështu për këto veprime kanë pasur dijeni të plotë shtetasit Klajdi Terolli, Fatmir Borshi, Famir Kolmarku e Flamur Gashi, të cilët nuk kanë bërë kallëzim në organet kompetente. Në këto kushte është vendosur marrja në cilësinë e të pandehurit të 15 personave. Po kështu më tej prokuroria pohon se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të konsiderueshme katrash krediti të klonuara, pajisjen për karikimin e tyre, procesverbale të ndryshme nëpër banka që janë dëmtuar nga veprimet e të pandehurve. Po kështu prokuroria pohon se ka marrë nga kolegët e vendeve perëndimore mjaft letër-porosi, pasi pjesa më e madhe e të dëmtuarve janë shtetas evropianë. Të akuzuarit e “Matrix 4” blinin nëpërmjet internetit numrat e llogarisë dhe kodet bankare të qytetarëve të ndryshëm perëndimore dhe më pas klononin kartat për të kryer blerje. 

Anëtarët e “Matrix 4”

Endrit Gjergjani, (Laro)
Rei Karapici
Kreshnik Luku
Redi Çikani
Anil Gjergjani, (Laro)
Blerim Abazi
Indrit Abazi
Alban Bare
Ledio Doko
Endri Mezuraj
Fatmir Borshi
Flamur Gashi
Klajdi Terolli
Enea Çela
Fatmir Kolmarku
 

Kërkohet gjykimi i shkurtuar

Gjatë seancës së djeshme, disa prej avokatëve të çështjes dhe klientët e tyre u shprehën se do kërkojnë aplikimin  e gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Sipas tyre, një pjesë e të pandehurve janë të pafajshëm, ndërkohë prokuroria i ka sjellë hetimet e paplota, ndaj për ekonomizëm gjyqësor do të ishte zgjedhja e duhur procedimi me gjykim të shkurtuar. Ndërkohë disa prej të pandehurve në momentin mbylljes së hetimeve kanë pranuar akuzat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›