E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i PS, pyetësor për anëtarësinë

 

Aristir Lumezi

Socialistët do të pyesin anëtarësinë për ndryshimet në statut. Grupet e punës pranë PS-së, ai i programit dhe i statutit, kanë nisur tashmë nga puna ndërsa presin që të formatojnë propozimet konkrete për t’ia paraqitur në fund të këtij procesi Asamblesë Kombëtare dhe më pas Kongresit të PS-së. Statuti i ri i PS-së duket se është çështja më e ndezur dhe më e debatuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë grupi i punës ka vendosur hartimin e një pyetësori, të cilin do ta shpërndajnë në organizatat socialiste dhe në bashkëbisedimet me anëtarësinë. Qëllimi i pyetësorit do të jetë një “matje pulsi” se deri ku duhet të shkojnë ndryshimet statutore në PS, çfarë çështjet ato duhet të prekin. Përmes këtij pyetësori, do të thithet mendimi për çështje që kanë të bëjnë me strukturën që duhet të ketë PS në të ardhmen, komunikimin me socialistët por dhe elektoratin. Gjithashtu pritet që të merren mendime rreth hapësirave konkurruese që duhet të përfshijë PS-në, që nga kryetari i PSSH-së e deri te kryetarët e organizatave, apo kandidatët për deputetë. Zgjedhjet e 28 qershorit, përveç akuzave që selia rozë ka ngritur për manipulim të rezultatit, treguan dhe dobësi në funksionimin e brendshëm të PS-së, por dhe në përballjen e tij me elektoratin. Kjo gjë u vu re dukshëm në zonat rurale, ku dhe rezultati është më i ulët se në zgjedhjet e 2005. Por statuti do të përpiqet të trajtojë dhe ato çështje që u bënë temë e debatit të brendshëm në PS, siç ishte personalizimi i fushatës, mungesa e drejtimit kolegjial të PS-së, ringritja e disa strukturave socialiste në rrethe, të cilat në statutin aktual rezultuan si dobësi në punën në terren të PS-së. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Socialiste, kreu socialist Edi Rama u shpreh i hapur për një debat të gjerë për të bërë ndryshimet e nevojshme në statutin e socialistëve, ashtu siç ishte premtuar në kongresin e fundit, për t’ia lënë një kohë më të vonë dhe përmes një debati të gjerë me anëtarësinë. Madje Rama është shprehur i hapur që baza e debatit për statutin e ri të jenë paketat e propozuara gjatë kongresit të fundit nga Ben Blushi dhe fushatës elektorale brenda PS-së, të propozuar nga Maqo Lakrori. Madje në takimin në Tiranë mes dy kandidatëve për kryetarin socialist, Rama hodhi dhe propozimin e tij për në statutin e tij. Sipas Ramës, deputetët aktualë, për të hyrë sërish në listën e kandidatëve, duhet të votëbesohen në qarqet ku janë zgjedhur. Pritet që ky propozim të bëhet pjesë e paketës së ndryshimeve statutore. Por dhe grupi i punës për programin politik të PS, që kryesohet nga vetë kryetari i saj, ka hapur diskutimin duke marrë propozime nga më të ndryshmet. Në grup është diskutuar rreth hapjes së PS-së dhe ndaj atyre kategorive sociale që më parë konsideroheshin nga socialistët si të djathta ekstreme. Socialistët po mendojnë që të mbrojnë në programin e tyre ish të përndjekurit dhe ish pronarët, që sipas selisë rozë ndjehen të braktisur tashmë nga Partia Demokratike, e cila i ka përfaqësuar deri tani. Kongresi i vitit të ardhshëm do të miratojë programin e ri politik të socialistëve dhe statutin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›