LSI: ‘Politika e re’ po sakrifikohet për interesat personale të Ramës
Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri sërish thirrje Partisë Socialiste për t’u rikthyer në Parlament dhe për të mbajtur premtimet që i bëri elektoratit më 28 qershor. Nënkryetari i kësaj partie, Edmond Haxhinasto, tha dje se ‘politika e re’ po sakrifikohet për interesa personale të kryetarit socialist, Edi Rama. “Qëndrimet kokëforta irracionale, jashtë-institucionale, e anti-integruese të opozitës, tregojnë qartë se kauzat kombëtare integruese dhe se shërbimi ndaj qytetarëve, që deri dje ishte lajtmotivi i të ashtuquajturës “politikë e re”, po sakrifikohen për hir të axhendave personale të lidershipit të saj. Në emër të LSI i bëjmë thirrje opozitës socialiste dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur të reflektojnë dhe të kujtojnë se premtimi që i kanë bërë shqiptarëve më 28 qershor ishte integrimi në Evropë dhe lëvizja e lirë, dhe jo mitingjet kundër këtij integrimi”, u shpreh Haxhinasto. Reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim erdhi dy ditë pas mitingut të radhës së PS-së, e cila kërkoi sërish nga qyteti i Lushnjës hapjen e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Haxhinastos, në mitingjet e PS-së janë dëgjuar thirrje për radikalizim të protestave. “Dua të shpreh keqardhjen për thirrjet për radikalizim që po dëgjohen nga tribunat e protestave të opozitës. Eshtë vërtetë për të ardhur keq, që thirrje të tilla të dëshpëruara e anakronike, rrjedhin në kah krejtësisht të kundërt me përpjekjet kombëtare të gjithë politikës për të realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat”, theksoi më tej zyrtari i lartë i LSI-së. Sipas tij, “duket qartë që opozita aktuale dhe lidershipi i saj kanë humbur sensin e realitetit, ndjeshmërinë politike të nevojave që kanë qytetarët e këtij vendi për më shumë punësim, arsimim, shërbim shëndetësor e përkujdesje sociale”. Opozita ka ndërmarrë një tur protestash në Tiranë, Shkodër, Lushnje dhe më 20 nëntor do të protestojë sërish në kryeqytet.