E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomat false, të akuzuarit "njohje" në Ministri dhe fakultet

Katër të arrestuarit hiqeshin para të interesuarve për diploma se kishin miq në Ministrinë e Arsimit, të cilët hidhnin numrat e diplomave në regjistrin përkatës


Dyshimet e para të policisë u drejtuan edhe ndaj funksionarëve të dikasterit përkatës, si dhe ndaj punonjësve në Fakultetin Juridik


TIRANE- Katër personat e arrestuar nga policia e kryeqytetit dy ditë më parë për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe diplomave të juridikut, dyshohet se kishin ngritur një sistem mashtrimi që të bënin sa më të besueshme veprimet e tyre përballë personave të ndryshëm të interesuar për të fituar një diplomë universitare dhe veçanërisht të fakultetit juridik.


Madje sipas burimeve, në shumë raste, ata prezantoheshin si njerëz që njihnin funksionarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, si dhe të Universitetit të Tiranës, me të cilët pretendonin se kishin lidhje.


Në shumë raste, gjatë vëzhgimit të kryer nga hetuesit ka dalë se një nga personat i linte gjithmonë takimet e tij pranë Ministrisë së Arsimit, ose në lokalet aty pranë. Kjo formë veprimi, sipas hetuesve, bëhej me qëllim për t'iu dhënë besim personave të interesuar për diplomë se njeriu me të cilin bisedonin vërtet kishte njohje dhe lidhje për të cilat fliste.


Për të qenë sa më të besueshëm sipas burimeve, katër të akuzuarit Medat Kasa, 54 vjeç, Anai Muça, 46 vjeç, Adriatik Koçi, 45 vjeç, përkthyes dhe Fadil Gurri, 43 vjeç, i kërkonin të interesuarve depozitimin e shumës së majme prej shtatë mijë eurosh në një bankë të nivelit të dytë për një periudhë prej dy muajsh.


Kjo kohë ishte e nevojshme deri në momentin që diploma futej në Regjistrin Kombëtar përkatës. Në diplomat e regjistruara policia ka vërejtur se disa prej tyre kishin numra amzash, që ishin vijim i numrave aktualë, duke iu lënë personave përshtypjen se ato ishin reale.


Nisur nga ky fakt hetuesit e policisë dhe të prokurorisë kishin ngritur dyshime se në të vërtetë ata kishin marrëdhënie me funksionarë të Ministrisë së Arsimit, si dhe të Universititetit të Tiranës dhe Fakultetit Juridik. Kjo ka bërë që policia të nisë hetim edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga të akuzuarit.


Verifikimet përkatëse të hetuesve të policisë dhe të Njësisë së Task- Force-s së Prokurorisë së Tiranës, forcuan dyshimet e policisë se kishin të bënin me një mashtrim dhe me falsifikim të dokumenteve, vulave dhe stampave.


Përmbajtja e diplomës me të gjithë elementët e domosdoshëm si dhe përfshirja e një numri amze që i korrespondon viteve në vazhdim ka shtuar dyshimet e hetuesve të policisë për rrugën e ndjekur për falsifikimin e dokumentit që vërtetonte kryerjen e studimeve në degën e Juridikut.


Dy ditë më parë, uniformat blu të kryeqytetit arrestuan katër persona, të cilët dyshohet se falsifikonin diploma të Juridikut kundrejt shumës së 7 mijë eurove. Medat Kasa, 54 vjeç, Anai Muça, 46 vjeç, Adriatik Koçi, 45 vjeç, përkthyes dhe Fadil Gurri, 43 vjeç, nga Tirana, u arrestuan, të mërkurën në mesdite gjatë operacionit të koduar "Juristi".


Oficerët e zyrës së Antikorrupsionit, arritën të vërtetojnë falsifikimin e diplomave, pas verifikimit në Regjistrin Kombëtar të Diplomave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Pas këtyre informacioneve, strukturat e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për të identifikuar grupin falsifikator. Pas identifikimit, Policia arriti të prangosë katër personat dje në orët e mesditës.


Kristaq Gjyli, jemi të hapur për hetim


Pas skandalit të "shitjes" së diplomave të Juridikut kanë reaguar edhe drejtuesit e Fakultetit të Drejtësisë. Zëvendësdekani i këtij fakulteti, Kristaq Gjyli, ka kërkuar që ngjarja të zbardhet plotësisht dhe të ketë një ndëshkim të personave, që do të shpallen fajtorë për falsifikimin e diplomave, kundrejt shumës së 7 mijë eurove.

Zëvendësdekani Gjyli, u shpreh dje se duhet të bëhet edhe një hetim në sekretariatin e Fakultetit të Drejtësisë, që të zbardhet plotësisht e vërteta. Ai ka bërë të ditur dje se fakulteti do të jetë i hapur për hetime, duke iu bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë edhe sekretariatin e Fakultetit të Drejtësisë.


Sipas tij, hetimet duhet të nxjerrin sa më shpejt të vërtetën, që të mos ketë dyshime të pa qena, që sipas tij mund të cenonin imazhin e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Rreth pesë vjet më parë, në shtator të vitit 2005, Fakulteti i Drejtësisë u përfshi nga skandali i shitjes së tezës së konkursit për pranimin e studentëve të rinj në këtë fakultet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›