Ruli: Buxheti i 2012-ës, më shumë mbështetje për fermerët shqiptarë
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli tha dje në seancë plenare se projektbuxheti i 2012-ës është buxheti që do të mbështesë fermerët shqiptarë. "Projektbuxheti 2012 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.8 miliardë lekë, me një rritje 5.2% më shumë se në 2011-ën, ku prioritet janë zbatimi i programeve që kanë nisur financimin dhe synojnë zhvillimin zinxhir të sektorit rural". Ruli theksoi se përparësi financimi nga buxheti 2012 do të ketë projekti kombëtar i lançuar nga kryeministri Berisha për mbjelljen dhe shtimin e sipërfaqeve me arrore, lajthi, gështenja, arra, shegë dhe bajame, si projektet më të leverdishme për vendin, ndërkohë që projekti për ullishtarinë vazhdon të bartë rëndësi për ekonominë rurale.