E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet mekanizmi i vrasjeve të Florian Vilës e Vajdin Lames

Sipas kreut të Departamentit për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliqi, është arritur që të zbulohet mekanizimi i dy vrasjeve të kryera me pagesë, se si këto ngjarje kanë ndodhur, ndërkohë që po punohet për të mbledhur provat, të cilat do të vënë në pranga këta autorë

Dosjet për vrasjet e bosit të hekurit, Florian Vila, ajo për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe biznesmenit tjetër Koço Dados, janë në prag të zbardhjes përfundimtare dhe policia njofton se ka të qartë mekanizmin e ekzekutimit të biznesmenëve. Sipas kreut të Departamentit për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliqi, në një intervistë të dhënë për televizionin “Klan” është arritur që të zbulohet mekanizmi se si këto ngjarje kanë ndodhur, ndërkohë që po punohet për të mbledhur provat, të cilat do të vënë në pranga autorët. “Do të hapen sërish dosjet për krimet e bëra nga vrasjet me pagesë në vitet e fundit në Shqipëri. Ne kemi arritur që të mbledhim fakte të rëndësishme për eliminimin e biznesmenit të hekurit Florian Vila, si dhe për presidentin e Federatës së Boksit dhe biznesmenin e rëndësishëm, Vajdin Lame”, - u shpreh ai. Sipas Kuliqit, është arritur që të zbulohet mekanizmi i këtyre ngjarjeve, por për të arrestuar autorët, duhet që këto të arrihen e të provohen me anë të provave. “Ne dimë si kanë ndodhur këto ngjarje, e dimë mekanizmin e tyre, por problemi është që tani duhet të mbledhim prova, në mënyrë që përgjegjësit të arrestohen dhe të vendosen përpara ligjit, që personi të përballet me drejtësinë”, - vazhdoi ai gjatë intervistës. Sipas kreut të departamentit për hetimin e krimeve, “akoma nuk janë mbledhur rrethanat dhe provat e mjaftueshme”, pasi këto “raste janë shumë të vështira”. Sipas tij, edhe koha e gjatë që ka kaluar nuk ndihmon në rindërtimin e këtyre krimeve, që do të lehtësonte zbardhjen e tyre. Kuliqi shtoi se do të punohet me mënyra të veçanta për zbardhjen e këtyre krimeve. “Këto janë ngjarje që kanë ndodhur. Ne do kërkojmë mënyra më specifike gjatë punës”, - u shpreh ai, duke theksuar se “do rihapen dosje të tjera, të cilat do të sjellin arrestime”. Sipas tij, pritet që në ditët në vazhdim të ketë arrestime për krimet e rënda të kryera në vite. Nga hetimet është arritur që të ketë rezultate për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Korçës. “Kemi pasur rezultate në ngjarjet në qytetin e Korçës. Shumë shpejt personat që i kanë kryer do të arrestohen. Kjo, pasi janë grumbulluar provat për arrestimin e tyre dhe vënien përpara drejtësisë”, - theksoi Kuliqit. Kreu i departamentit për hetimin e krimeve u shpreh se ka pasur rezultat edhe nga bashkëpunimi me dëshmitarët. “Falë këtij bashkëpunimi, kemi arritur që të zbulojmë ngjarje nga viti 1997 e më vonë”, – u shpreh ai. Në tre vitet e fundit në prokurori janë çuar 949 dosje, ndërkohë që këto konsiderohen si rezultatet më të mira nga ana e Policisë së Shtetit.

Tre krimet, duke filluar nga rrëmbimi dhe zhdukja e Dados, vrasja në hyrje të shtëpisë e Florian Vilës dhe ekzekutimi me eksploziv i Vajdin Lames në Tiranë, janë disa nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në kryeqytet. Kuliqi u shpreh se hapja e tyre kishte çuar në zbulimin e provave dhe dëshmive të reja që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›