Zbardhet misteri i peizazhit prapa Mona Lizës

Historiania italiane e artit, Carla Glori, thotë se ka arritur që nëpërmjet shifrës së fshehur në pikturën e njohur "Mona Lisa" të vërtetojë vendin e saktë të peizazhit në sfondin e veprës më të njohur të Leonardo da Vincit. Gazeta londineze "Telegraph" raporton se Glori ka zbuluar se ura prej guri me tri harqe që është prapa gruas me buzëqeshjen enigmatike çon në drejtim të Bobbio, një fshat në afërsi të Piazencës në veri të Italisë. Teorinë e saj ajo e bazon në zbulimin e fundit të një tjetër historiani arti Silvan Vinceti, i cili ka vënë në dukje numrat 7 dhe 2, të fshehur me mjeshtri në konstruktin e urës. Glori beson se ato janë dy vitet e fundit të 1472-it, kur në një vërshim katastrofal ishte shembur ura në Bobbio. Në shënimet historiografike kjo urë njihet si Ponte Gobo apo Ponte vekio (Ura e vjetër) dhe nuk ekziston që prej vitit 1472 kur lumi Trebbia doli nga shtrati.
"Leonardo ka shënuar numrin 72 poshtë urës si një kujtim për atë ngjarje", ka thënë Glori, e cila teorinë e saj e ka paraqitur edhe në librin "Enigma e Leonardos".
Piktori me nam, përfaqësues i rilindjes, është i lindur në Vincia të Toskanës, por shpesh ka udhëtuar nëpër qytete të ndryshme të Italisë. Ka punuar në Venecia, Romë dhe Bolonjë. Da Vinci ka filluar të punojë në realizimin e Mona Lisës në vitin 1503 ose 1504 në Firence, por këtë vepër do ta kryente disa vjet më vonë pasi do të zhvendosej në Francë pas ftesës që i kishte bërë mbreti Fransoa I. Shumica e historianëve të artit besojnë se peizazhi prapa Mona Lizës, ku shihen fusha e male, është pjellë e imagjinatës së artistit, por Glori është e bindur se bëhet fjalë për paraqitjen e një vendi të caktuar. Piktura e njohur, sot pronë e shtetit francez, në fillim ishte ekspozuar në Pallatin Versai, për t1u ekspozuar më pas në muzeun e njohur Luvr.