Termometri shënon –7, rrugët të rrezikshme prej akullit
Mjaft rrugë kombëtare dhe rurale janë ende me probleme për shkak të ngricave dhe akullit, ndërsa Emergjencat Civile njoftojnë se në të gjithë këto zona punohet për pastrimin e tyre
I ftohti i kësaj jave me termometrin që ka shënuar -7 në Peshkopi dhe reshjet e dëborës, kanë izoluar disa akse rrugore dhe komuna në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të sallës operative kombëtare të Emergjencave Civile, problematike situata mbetet në veri të vendit, kryesisht në disa komuna të Kukësit, Shkodrës dhe Korçës, të cilat kanë mbetur të bllokuara për shkak të akullit dhe dëborës. Drejtues të Qendrës Operative të Emergjencave thonë se borëpastrueset po punojnë në këto zona për zhbllokimin e rrugëve. Ndërkohë që në mjaft rrugë ka prani akulli e dëbore dhe ekspertët e Emergjencave Civile u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të kenë nën kontroll shpejtësinë dhe të lëvizin me zinxhirë.
Korçë
Situata e ditëve të fundit në qarkun juglindor është rënduar për shkak të kushteve klimaterike. Ndërsa termometri ka regjistruar temperatura disa gradë nën zero gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Korçës, qarkullimi i automjeteve është bërë mjaft i vështirë. Ndërkohë që disa zona në këtë qark janë të izoluara nga dëbora. Duke iu referuar të dhënave nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, mësohet se zona e Dardhës, Vithkuqit, por dhe Moglica e Lekasi janë të bllokuara nga reshjet e borës por dhe akulli. Ndërkaq, për sa i përket situatës në akset nacionale, pjesa kryesore e tyre janë të hapura për shkak të ndërhyrjes në kohë me kripë dhe borëpastruese. Duke iu referuar të njëjtave burime, aksi Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit është i kalueshëm vetëm më zinxhirë. Gjithashtu, me zinxhirë qarkullohet dhe në segmentin Korçë-Voskopojë. Por teksa akset nacionale në pjesën më të madhe të tyre janë të hapura, një situatë shumë e vështirë paraqitet në brendësi të rrugëve të qytetit të Korçës. Mosndërhyrja nga ana e autoriteteve lokale për të larguar borën nga rrugët e tij e ka kthyer qytetin në një zonë tejet të vështirë, ku dhe prania e zinxhirëve e bën qarkullimin në shumë raste mjaft problematik. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që të mos ndërhyhet në rrugët e qytetit të Korçës, ndërsa Bashkia nga ana e saj është treguar tejet indiferente përballë kësaj situate të rëndë që ka vështirësuar jo pak jetën e banorëve të Korçës.
Shkodër
Temperaturat e ulëta që kanë sjellë dhe ngrirjen e dëborës në zonat malore të qarkut të Shkodrës kanë çuar në bllokim të rrugëve rurale në këtë qark. Në rrethin e Malësisë së Madhe është i bllokuar aksi rrugor Selcë-Vermosh. Në komunën e Kelmendit ka probleme me furnizimin me energji elektrike, e cila mungon në pjesën më të madhe të kësaj komune. Sipas inspektorit të Emergjencave Civile në nënprefekturën e Malësisë së Madhe, Ndue Bacaj, ndërprerja e energjisë elektrike ka ardhur për shkak të këputjes së telave nga era e fortë në këtë zonë. Po kështu era ka zbuluar shkollën 9-vjeçare të fshatit Brojë të komunës Kelmend, një shkollë e vogël, së cilës era i ka rrëzuar mbulesën e çatisë. Gjithashtu në këtë fshat, era e fortë ka dëmtuar dhe dritaret e qendrës shëndetësore. Nga dëbora e ngrica është i bllokuar dhe fshati Iballë në Pukë.
Zona të tjera
Në Qafën e Llogarasë dhe në Vlorë situata është normalizuar, por edhe në këtë rast apeli për drejtuesit e automjeteve është për më shumë kujdes për shkak të pranisë së akullit në segmente të caktuara rrugore. Situata ditën e djeshme duket më e normalizuar në Dibër, por qarku vazhdon të ketë komuna të bllokuara dhe rrugë problematike e me prani të akullit.