Qarku Elbasan, Konferencë Kombëtare për romët dhe egjiptianët
Elbasan-Në qarkun e Elbasanit u mblodh Komisioni i Vlerësimit të Nevojave dhe Planifikimit të Shërbimeve Sociale. Ky komision ka për qëllim që të evidentojë e t’u vijë në ndihmë shtresave në nevojë, përfshi këtu fëmijë, komunitete dhe individë të ndryshëm, kategori që në Elbasan janë të shprehura. Në fjalën e marrë kryetari i Këshillit të Qarkut, Eugen Isaj, u shpreh se institucioni që ai drejton dhe ai personalisht do të jenë mbështetës absolutë të projekteve dhe iniciativave të marra. Në mbledhjen e zhvilluar u shqyrtua kërkesa e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve për sistemimin e 9 fëmijëve me problem të mprehta sociale. Një nga projektet më të rëndësishme për qarkun është ai i përmbushjes së detyrimeve në projektin e Dekadës Rome. Në qytetin e Elbasanit, por edhe në qytete të tjera dhe fshatra të qarkut, ekziston një komunitet i madh rom e egjiptian, të cilët kanë nevojë për mbështetje e ndihmë në mënyrë që të integrohen në shoqëri. Më 23 nëntor do të organizohet një konferencë kombëtare për këtë komunitet, ku pas aplikimit të tij pritet të ketë mjaft të punësuar. Sipas Isajt, një nga programet e rëndësishme që do të marrë Këshilli i Qarkut këto ditë është ai i formimit profesional të romëve dhe egjiptianëve. Pas konstituimit, Këshilli i Qarkut Elbasan ka hyrë në një fazë të rëndësishme ku po gjejnë konkretizim mjaft projekte në dobi të komunitetit. Fatos Salliu