Zbardhet skema e mafias - ndërtimin në qendër të Tiranës, Rama ia kishte premtuar Dulakut qysh më 2006-n

Pas skandalit me gropën në qendër të Tiranës, dokumentet vetëkompromentuese denoncojnë aferën e radhës të Edi Ramës. Trualli në qendër të Tiranës ishte llogaritur për një ndërtim shumëkatësh nga Edi-Al, kompani e cila e kishte përfshirë godinën si të vetën, qysh në kalendarin e vitit 2006
Truallit në qendër të Tiranës, që pak ditë më parë u shndërrua në lulishte, ishte planifikuar për ndërtimin e një godine të lartë. Ndërtesa e cila pritej të ngrihej në qendër të Tiranes, pranë Bankës së Shqipërisë, është marketuar në katalogun e kompanisë EDIL Al-IT që në vitin 2006, pra disa vite përpara sesa të sqaronte çështjen e pronësisë së truallit. Kjo godinë, pritej, siaps të njëtit katalog, të përfundonte së ndërtuari në vitin 2010.
Sipas asaj që ishte publikuar në faqen 31 të katalogut të kompanisë EDIL AL-IT, ndërtimi elitar do quhej “Syri i Tiranës” (“Eyes of Tirana”) dhe parashikonte 63.500 m2 sipërfaqe ndërtimi. E konsideruar si “një nga projektet më ambiciozë të Masterplainin për Tiranën”, në të njëjtën faqe të të njëjtit katalog, jepen edhe të dhëna të tjera veç sipërfaqes së ndërtimit dhe vitit të përfundimit, përcaktohen të specifikuara edhe sipërfaqet e zonës tregtare, zyrave, restoranteve, parkingjeve, etj.
Sipërfaqja e truallit në qendër të Tiranës, e llogaritur për një ndërtim shumëkatësh, u bë rreth një muaj më parë, objekt debatesh, pasi Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT), ndërmori një iniciativë, për shndërrimin e një grope të hapur aty prej vitesh, në një lulishte.
Kjo iniciativë e MPPTT, u pasua me tentativa të bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut të saj Edi Rama, për të justifikuara veprimet e tyre, për abuzimin me këtë truall, shtetëror, që përpiqej të “servirej” nga abuzuesit, si truall privat.
Përballë pretendimeve të kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, drejtues të MPPTT zbardhën dokumentet që faktonin dijeninë e kryebashkiakut për pronësinë publike të truallit në qendër të kryeqytetit, mbi të cilin u tentua të ndërtohej në mënyrë të paligjshme.
Sipas këtyre shkresave, përkundër pretendimeve të kryebashkiakut të Tiranës për pronë private, mësohet se vetë, nga ana e bashkisë, ishte pranuar zyrtarisht se kjo sipërfaqe trualli, e tentuar për t’u falur për ndërtimin e një shumëkatëshi, ishte pronë shtetërore.
Ndërkohë, nga përllogaritja mbi këto shkresa, vetëm shitja me ankand e truallit mendohet se mund të shkonte 110 milionë euro.
Sipas drejtuesve të MPPT e gjithë këmbëngulja e Edi Ramës për të fshehur pronësinë, fshinte interesa personale të tij, të grupeve që i qëndronin pas, si dhe të një numri klientësh që janë mësuar të ngrenë biznese në shkelje të ligjit dhe në dëm të interesave të kryeqytetasve.
Për t’i dhënë fund këtyre pretendimeve të kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa qeveria e shndërroi gropën disa vjeçare në lulishte, ka paralajmëruar nxjerrjen e saj në ankand, ndërsa të hollat e përfituara nga shitja e saj, do të përdoren si fond për kompensimin e ish-pronarëve.