E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zbusni kërkesat dhe hyni në parlament”

Ministri i Jashtëm Ilir Meta, thirrje opozitës nga Brukseli

Shqipëria përkrahu fuqishëm kërkesën e Presidentit Obama për strategjinë e Afganistanit

Ministri i Jashtëm Ilir Meta i apeloi dje opozitës që të rishohë pozicionin politik. Nga Brukseli ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke iu referuar situatës së fundit politike në vend, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, u shpreh se dhënia fund ultimatumeve është rruga më e mirë për opozitën. “Asnjë institucion në botën demokratike nuk nënkupton hapjen e kutive apo kur flitet për dialog të parakuptohet kjo. Askush nuk përkrah ultimatumet, askush nuk përkrah destabilizimin e vendit. Oferta jonë është zbusni kërkesat dhe futuni në parlament, të diskutojmë çdo pretendim të opozitës. Zgjidhja politike mund të vijë vetëm nëse opozita rikthehet në sallën e kuvendit”, u shpreh numri 2 i qeverisë.
Ndërkaq, lidhur me temat e diskutuara gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Meta informoi se Shqipëria ka mbështetur politikën e dyerve të hapura për zgjerimin e mëtejshëm të  NATO-s. Meta tha Shqipëria mbështeti hyrjen e Bosnje-Hercegovinës, por nuk u arrit konsensusi i nevojshëm. “Ne kemi mbështetur edhe hyrjen e Malit të Zi në Plan Veprimin për Anëtarësim (MAP), vendimi pozitiv për të cilin u mor sot me sukses të plotë. Kemi shprehur mbështetjen tonë edhe për Bosnje-Hercegovinën, ku nuk pati konsensus të plotë gjatë këtij takimi. Por pa asnjë diskutim që Bosnje-Hercegovina u inkurajua që të vazhdojë me reformat e saj të brendshme, me shpresën që në prill, në Takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s të merret një vendim pozitiv”, u shpreh Meta.
Ministri i Jashtëm informoi gjithashtu se 2Shqipëria ka përkrahur atë strategji të shpallur nga Presidenti i SHBA-ve Barak Obama për të stabilizuar situatën në Afganistan në mënyrë që misioni ndërkombëtar i sigurisë të jetë i suksesshëm, në këtë mënyrë ne kemi konfirmuar shtimin e pjesëmarrjes sonë me 85 trupa përveç kontingjenteve që kemi ne Afganistan, si dhe angazhimin për sa i takon ndërtimit dhe rehabilitimit të shkollave dhe 100 bursa për të rinjtë afganë për të studiuar në vendin tonë. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të mbështetur konceptin e ri strategjik të Aleancës dhe njëkohësisht edhe sistemin e mbrojtjes kundër  raketave balistike që është një tjetër sfidë për Aleancën në kontinentin tonë.  Pa asnjë diskutim që Shqipëria do të jetë një anëtare tepër aktive e Aleancës. Në radhë të parë duke rritur kontributin e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë, por edhe përmes mbështetjes së Aleancës ku do të veçoja si një prioritet kyç  Afganistanin”, tha më tej ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Në kuadër të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u zhvillua në Bruksel nga data 3-4 dhjetor 2009, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, në takimin e Komisionit NATO-Gjeorgji, si dhe në mbledhjen informale të Këshillit kushtuar Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, vendosën të ftojnë Malin e Zi t’i bashkohet Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe inkurajuan Bosnje-Hercegovinën të thellojë reformat me shpresën e anëtarësimit në MAP sapo të jenë përmbushur kriteret e duhura.
Gjithashtu, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kontribuuese të trupave ISAF diskutuan mbi çështje kyçe dhe mbi prioritetet e strategjisë për Afganistanin, në veçanti për mbrojtjen e qytetarëve afganë, ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë afgane dhe për lehtësimin e qeverisjes dhe zhvillimit në vend.
Ministrat e Jashtëm adoptuan një deklaratë të përbashkët ku shprehet vullneti për të punuar së bashku për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me misionin si dhe mbështetja e plotë për parimet e ISAF për proceset e ri-integrimit dhe të pajtimit në Afganistan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›