E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Bakojanis në Tiranë, flitet për çështjen çame

Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, ka zhvilluar një vizitë ditën e djeshme në Shqipëri, ku është takuar me figurat më të larta të shtetit shqiptar. Vizita e saj filloi me një vizitë në spital me të lënduarit nga tragjedia e Gërdecit. Më pas ministrja greke zhvilloi një takim të zgjeruar më homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha, ku u prekën disa çështje të rëndësishme. Çështja më pikante e diskutuar ishte ajo e pronave të shqiptarëve në Greqi. Kjo çështje, cila pranohet jo si një problem çam, por thjesht si problem pronash, Bakojanis u shpreh se çdo qytetar mund t’u drejtohet gjykatave greke në rast se pretendojnë për problem pronash në shtetin grek. Sipas saj, çdo gjë mund të zgjidhet sipas ligjeve greke. Çështja çame u përmend gjatë konferencës për shtyp edhe nga ministri Basha. “Kemi folur sigurisht edhe për pronat e qytetarëve shqiptarë në Greqi. Trajtimin e kësaj çështjeje në kuadër të traktatit të miqësisë Shqipëri-Greqi në baza individuale ligjore dhe teknike”, - tha Basha. Nga ana tjetër, Greqia do ta mbështesë Shqipërinë për t’u bërë anëtare e NATO-s. “Mendoj se Shqipëria ka bërë hapa përpara prandaj mendoj se i ka të gjitha arsyet për të marrë ftesën për në NATO në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Për këtë keni edhe mbështetjen tonë”, - tha Bakojanis. Më tej, ministri i Jashtëm shqiptar vuri në dukje marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve. Në bisedimet dypalëshe Basha theksoi përkujdesin e vazhdueshëm të autoriteteve shqiptare për minoritetin grek në Shqipëri, për kushtet e tyre arsimore, përdorimin e gjuhës greke etj. Gjithashtu, palët diskutuan edhe për procesin e përfundimit të varrimit të të rënëve grekë gjatë Luftës italo-greke, një çështje e cila ka sensibilitetet e saj humane dhe morale dhe për të cilën pala shqiptare është e vendosur që të japë kontributin e saj për përfundimin sa më shpejtë. Ministrja e Jashtme greke u takua edhe me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit Topalli, si dhe me presidentin Topi. “Është një lajm i mirë deklarata juaj se Parlamenti grek do të ratifikojë MSA-në Shqipëri-BE menjëherë pas Pashkëve. Marrëdhëniet shumë të mira mes dy parlamenteve tona, jam e bindur se do të njohin një stad të ri në një vizitë të pritshme të kryetarit të Parlamentit grek, Soufias, në përgjigje të ftesës sime për një vizitë zyrtare në Shqipëri”, - u shpreh Topalli gjatë takimit me Dora Bakojanin.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›