Zbatimi drejt dështimit

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të merren vesh për energjetikë dhe telekomunikacion. Një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë para 15 qershorit dhe në këtë mënyrë do të shkelet marrëveshja e Brukselit, që kërkonte nga palët të bëjnë marrëveshje në këto çështje deri në mesin e këtij muaji.
Palët do të bëjnë përpjekje që deri në fund të kësaj jave të arrijnë marrëveshje, qoftë në këto dy çështje, apo në veprimet që duhet të ndërmarrin në gjashtë fushat tjera të përfshira në marrëveshjen e Brukselit.
Burime diplomatike i kanë thënë gazetës Tribuna se parimi i neutralitetit e ka bërë të pamundshëm pajtimin e palëve dhe si rrjedhojë nuk priten rezultate. Si pasojë, Kosova dhe Serbia rrezikojnë që mos të marrin vendime pozitive nga Këshilli Evropian. Vendimet negative të Këshillit pritet që të sjellin komplikime të mëtutjeshme të zbatimit, derisa palët do t'i vendosin agjendat e reja. /Indeksonline/