E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 vjet larg stadiumit

Ajax Amsterdam ka shqiptuar dënim rekord prej 30 vitesh larg stadiumit për huliganin që sulmoi portierin e AZ Alkmaarit, Esteban Alvarado dhe shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes të vlefshme për Kupën e Holandës. 19-vjeçari kishte qenë edhe ashtu i pezulluar për një incident të mëparshëm, kurse tani do të kalojë edhe 14 ditë të tjera në burg, e pasi të lirohet, e presin akuzat nga Ajaxi dhe Alvarado.

Tifozi i Ajaxit që sulmoi portierin e AZ Alkmaarit, Esteban Alvarado dhe shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për Kupën e Holandës mes Ajaxit dhe Alkmaarit është dënuar me 30 vjet ndalesë për hyrje në stadium.

E përditshmja holandeze, De Volkskrant ka raportuar se Ajax Amsterdam njoftoi avokatin e huliganit 19 vjeç se ai është dënuar nga përcjellja e ndeshjeve të Ajaxit në ArenA për 30 vjet. Dënimi, më i gjati i shqiptuar ndonjëherë nga klubi, përfshin edhe hapësirën rreth stadiumit.

Huligani hyri në fushë gjatë ndeshjes së Kupës, të mërkurën, dhe synoi të godasë Alvaradon, i cili reagoi dhe më pas u ndëshkua me karton të kuq. Futbollistët e Alkmaarit u ankuan pas përjashtimit të tij, kurse trajneri Gertjan Verbeek urdhëroi skuadrën e tij të braktisë fushën dhe refuzoi të kthehej për shkaqe sigurie.

Ndeshja u ndërpre në epërsinë e Ajaxit 1-0. Ajax ka njoftuar se i njëjti huligan kishte qenë i dënuar për një incident të kaluar por arriti të merr biletë nëpërmjet një personi tjetër, që po ashtu është identifikuar.

Klubi ka theksuar se do të kërkojë mbulimin e dëmeve nga ata të dy. Kurse, huligani i cili është akuzuar edhe për sulm të dhunshëm dhe mos respektimin e dënimit për qëndrim larg stadiumit do të duhet të mbetet në burg edhe për 14 ditë të tjera, ka vendosur një komision i gjykatësve.

Portieri Alavaro, të cilit i është anuluar kartoni i kuq nga Federata holandeze e Futbollit, po ashtu ka paraqitur padi kundër huliganit ka njoftuar agjencia e lajmeve DPA. Me fjalë tjera, huligani një ditë mund të shkojë sërish në stadiumin e Ajaxit, por i shoqëruar nga fëmijët e ndoshta edhe nipat e tij.

Kurse, dënimi i rreptë mund të shërbejë edhe si shembull për zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se si duhet trajtuar dhunën në stadiume.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›