Individët heqin dorë nga kreditë për shtëpi
Ndryshe nga vitet e mëparshme, individët kanë filluar të jenë më pak të prirur për të marrë kredi për shtëpi. Ulja e të ardhurave e shkaktuar nga zhvillimet makroekonomike ka detyruar ata që kanë në plan për të blerë një apartament, ta shtyjnë për të ardhmen realizimin e tij duke u mjaftuar në këto momente vetëm me kryerjen e shpenzimeve të vogla. Banka e Shqipërisë publikoi dje Vrojtimin e aktivitetit kreditues për tre mujorin e parë të këtij viti, i cili është përpiluar duke marrë parasysh pritshmëritë e ekspertëve të bankave për ecurinë e kreditimit për këtë tre mujor. Nga të dhënat e nxjerra rezulton se bankat presin më pak kërkesa për financim blerje shtëpie krahasuar me periudhat e mëparshme. Të pyetur për arsyen se përse mendojnë kështu, ata i bazojnë në disa tregues pritshmëritë e tyre. Treguesi i parë sipas bankierëve të cituar nga BSH-së që do të ulë kërkesën për kredi për apartament është situata e përkeqësuar financiare e individëve, ndërsa i dyti është situata makroekonomike e vendit. Kërkesa e individëve për kredi, bazuar në gjykimin e bankave për të, ka vijuar prirjen rënëse në tremujorin e katërt të vitit 2011. Përqindja neto e bankave që kanë vlerësuar ulje të kërkesës së individëve në tremujorin e katërt të vitit 2011 është 5.6 për qind. Ky rezultat është dukshëm më pesimist në krahasim me pritjet e bankave nga vrojtimi i kaluar. Rënia e kërkesës është regjistruar vetëm për kredinë për blerje banese, pasi kërkesa për kredinë konsumatore ka regjistruar rritje, – shpjegon Banka e Shqipërisë.
Uljes së kërkesës për kredi të individëve, bankat pritet ti përgjigjen gjithashtu edhe me shtrëngim të kushteve për shkak të përkeqësimit të situatës së tyre financiare por edhe rritjes së kredive me probleme. Megjithatë, kushtet e kredisë për individë mbeten të njëjta krahasuar me tre mujorin paraardhës, ndryshe nga biznesi i cili po përballet me shtrëngim të mëtejshëm. Rritja e depozitave dhe konkurrenca midis bankave bën që ato të jenë disi më të prirura tu lëshojnë kredi individëve. Kredia jepet më së shumti për financim konsumi dhe jo për mbështetje të investimeve afatgjata siç janë përshembull pasuritë e paluajtshme.
Ndryshe nga kredia për blerje banese, bankat janë të prirur për ti financuar individët me kredi konsumatore. Zakonisht kreditë në fjalë përdoren për financimin e shpenzimeve të vogla, shkollim, mobilim shtëpie, etj. Këto lloj kredish kanë afat maturimi kryesisht jo më shumë se pesë vjet dhe kanë risk më të vogël krahasuar me kreditë për blerje apartamenti.
Biznesi
Bizneset e kanë më të vështirë të marrin një kredi në këtë periudhë. Vrojtimi tregon se bankat kanë shtrënguar edhe më tepër kushtet për kreditimin e bizneseve gjatë tre mujorit të parë të këtij viti. Për tremujorin e parë të vitit 2012 ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset do të vijojnë të shtrëngohen më tej. Balanca neto e pritjeve shënoi -27.7 për qind. Standardet pritet të shtrëngohen si për kreditë dhënë bizneseve të mëdha dhe ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, – vijon vrojtimi. BSH tregon se bankat kanë rritur kërkesat për kolateralin, kanë ulur maturitetin si edhe shumën e parave që huazojnë. Megjithatë, një tregues optimist është fakti se bizneset kanë ulur kërkesat për kredi kapital qarkullues dhe kanë rritur ato për investime.
Goditet sektori i ndërtimit
Ulja e kërkesës së individëve për kredi për blerje banese është një ndryshim në strukturën e portofolit të kredisë së bankave për këta të fundit, ku kredia për pasuri të paluajtshme ka përbërë pjesën dërrmuese. Nëse do të vazhdohet me të njëjtin tregues edhe gjatë tre mujorëve të ardhshëm, kjo do të jenë një goditje tjetër për sektorin e ndërtimit, i cili ka pësuar tkurrje të vazhdueshme që prej vitit 2008. Përllogaritet që ndërtimi të jetë tkurrur me 26 për qind që prej këtij viti.
Rritet kërkesa për kredi në lekë
Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë muajve të fundit si edhe luhatjet në kursin e këmbimit kanë bërë që bizneset dhe individët të rrisin kërkesat për kredi në lekë. Kjo është ajo çka presin ekspertët e bankave të pyetur nga Banka e Shqipërisë për pritshmëritë gjatë këtij tre mujori. Më së shumti janë individët ata që parapëlqejnë kreditë në lekë, kjo për faktin se në këtë monedhë kanë të ardhurat, por edhe duan të shmangin kostot e kursit të këmbimit. Për tremujorin e parë të vitit 2012, ekspertët e bankave presin rritje të kredive të miratuara në lekë dhe ulje të atyre të shprehura në monedhë të huaj. Pritjet për normat e interesit të kredive kanë një prirje rënëse, si për kredinë në lekë ashtu dhe për atë në valutë, – shprehet BSH.
Çmimet po rriten ngadalë, lajm i mirë për konsumatorët
Çmimet e mallrave të shportës janë rritur minimalisht gjatë muajit të shkuar. Instituti i Statistikave raporton për një nivel inflacioni vetëm 1.6 për qind në janar 2012, 0.1 pikë përqindje më i ulët se ai i muajit dhjetor. Rritja e ngadalësuar e çmimeve të artikujve të shportës është një lajm i mirë për të gjithë konsumatorët pasi tashme me të njëjtën sasi lekësh mund të blejnë më shumë produkte krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bazuar mbi të dhënat e tregjeve, një zhvillim i tillë, ka të bëjë me shumë me tendencën për të kursyer të qytetarëve se sa më ndonjë zhvillim tjetër siç është futja e prodhimeve të vendit në treg apo ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga vetë Banka e Shqipërisë, ku Guvernatori Fullani ka bërë herë pas herë thirrje për rritje të konsumit nga ana e qytetarëve. Nëse e njëjta situatë e kërkesës së ulët konsumatore do të vijojë edhe përgjatë muajve në vazhdim, do të kthehet në një problem për buxhetin e shtetit, i cili për shkak të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik të vendit nuk do të mund të mbledhë të ardhurat e parashikuara.
Rritjen më të madhe gjatë janarit e kanë pasur përsëri ushqimet me 1.4 për qind, ku vlen për tu theksuar shtrenjtimi i zarzavateve me rreth 9 për qind. Shtrenjtimi i tyre vjen për shkak të stinës. U shtrenjtuan gjithashtu edhe karburantet, ndërsa janë ulur përsëri çmimet e veshjeve. Ulja e çmimit të veshjeve është një trend që vijon nga vitet e kaluara. Çmimi i naftës ndërkohë u rrit me 1.8 për qind edhe përgjatë janarit, rritje e cila nuk ndalet që prej verës së vitit 2011, ndërsa benzina me 1 për qind.
Inflacioni i shënuar gjatë muajit janar është poshtë angazhimit të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për ta mbajtur atë nën kufijtë e 3 për qindve me një ndryshim plus/minus 1 për qind. Ngadalësimi i rritjes së çmimeve filloi në dhjetor të vitit të shkuar, ku përkundër pritshmërive ato nuk u rritën në të njëjtën tregues të viteve të mëparshme.
