E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo e Bojaxhi: Kurseni energjinë elektrike

• Lançimi i projektit “Energjia është edhe e imja”, ishte qëllimi i takimit të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo dhe drejtorit tëpërgjithshëm të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, me nxënësit e shkollës bazë “Qazim Turdiu” në kryeqytet. Ky projekt synon ndërgjegjësimin nëpërmjet informimit të nxënësve të shkollës bazë dhe të shkollave të mesme për përdorimin me eficencë të energjisë elektrike dhe është bashkëpunim mes KESH-it dhe MASH-it. Objektivi i tij është edukimi i fëmijëve me metodat praktike të përdorimit të përditshëm të energjisë elektrike, që nxënësit mund ta marrin shumë më mirë në shkollë, duke mësuar, por edhe duke u argëtuar, për të kursyer në këtë mënyrë një burim, i cili nuk është i pashtershëm dhe mbi të gjitha kushton. Për këtë, në të gjitha shkollat bazë dhe ato të mesme, do të shpërndahen materiale me tema për përdorimin me eficencë të energjisë elektrike. Gjithashtu është menduar edhe organizimi i një ekspozite në rang kombëtar, me temë “Të kursejmë energjinë elektrike”, fituesit e të cilës do të stimulohen me çmime, ndërsa imazhet më të mira të realizuara nga fëmijët do të përdoren gjatë fushatës së KESH-it për informimin dhe edukimin. Fitues i konkursit të parë me këto punime në shkollën “Qazim Turdiu” ishte nxënësi i klasës së pestë, Stiven Dragoshi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›