E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Do zgjerojmë skemën e rimbursimit të barnave

• “Lista e rimbursimit të barnave nuk do të këtë shkurtime, përkundrazi ajo do zgjerohet me më shumë ilaçe”, këtë pohoi dje ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.Ai mblodhi dje Komisionin e Hartimit dhe Rishikimit të listës për vitin 2008. Por, ndërsa ministri shpreh vullnetin e mirë për të mos cenuar skemën e madje për ta zgjeruar atë, nuk dihet ende si do të realizohet kjo. Burime nga dikasteri që ai drejton pohojnë se fondi i ISKSH-së për ilaçet është 4.2 miliardë lekë. Kjo sasi parash shihet e pamjaftueshme për të siguruar një listë më efikase se aktualja. Gjithçka pritet të zgjidhet brenda pak ditësh. Të njëjtat burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se propozimet e anëtarëve të komisionit do të shqyrtohen brenda javës që vjen. Zyrtarisht theksohet se mbledhja e komisionit do të mundësojë heqjen e barnave formale dhe shtimin e listës me një gamë më të gjerë barnash. “Jeta e qytetarit është mbi të gjitha, ndaj edhe ne duhet të bëjmë gjithçka që na lejojnë hapësirat administrative dhe financiare, të ofrojmë një listë barnash reale dhe mbështetëse për pacientët”, u shpreh dje ministri Ndoka. Nisur nga ky kontekst, Ndoka nënvizoi se duhet të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të gjitha kapacitetet ekonomike dhe profesionale për hartimin e kësaj liste, me qëllimin e sigurimit të një mbulese me barna sa më të sigurta dhe me një gamë sa më të gjerë. Aktualisht lista e rimbursimit të barnave përfshin rreth 370 ilaçe. Vitin e kaluar prej saj u hoqën një sërë alternativash të vjetruara, të cilat u cilësuan si të paefektshme për kategoritë që i përfitonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›