E Diel, 1 Nëntor 2026

Vitet e humbura të pensionit, si ndërtohet një padi për ta rifituar atë

Në Gjykatën e Tiranës depozitohen çdo ditë dhjetëra padi ndaj Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore

Laureta Rryçi

Tiranë - Dhjetëra qytetarë që, pavarësisht moshës, nuk arrijnë të marrin pension, detyrohen t’i drejtohen gjykatës për të rifituar vitet e humbura. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm si ndërtohet një padi e tillë dhe procedura e mëtejshme që ndiqet në gjykatë. Pas rrëzimit të kërkesës nga ana e Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore se nuk u takon të marrin pension, duhet t’i drejtoheni gjykatës duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi. Padia është civile dhe do të gjykohet nga një prej gjyqtarëve të Dhomës Civile. Procesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë, e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cenuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet gjykatës quhet paditës. Personi që ka shkelur ose cenuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur.
Paditë
Gjykatës mund t’i drejtohesh për të rivendosur të drejtën e shkelur në lidhje me ndërprerjen e pensionit. Qoftë ky i parakohshëm, i pjesshëm, mesatar apo i plotë. Në varësi të profesionit që keni pasur dhe viteve të punës. Nëpërmjet një vendimi gjykate mund të kërkohet llogaria e masës së përfitimit të pensionit, si dhe kompensimin e parave për vitet që ju ka takuar pensioni, por këtë të drejtë ua ka mohuar Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore. Një proces i tillë zgjat deri në 157 ditë, me përjashtim të rasteve të veçanta kur mund të dalë ndonjë situatë jo e zakonshme. Në këto procese qytetari që përpilon padinë duhet të disponojë një sërë dokumentesh që provojnë pretendimet e tij mbi të drejtën për të përfituar pension.
Procedura
Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse është ngritur ndaj atij që ka cenuar apo shkelur të drejtën. Pas kalimit të kësaj faze gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje, e cila do të zgjidhte çështjen duke i kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur procedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në procesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit. Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet procesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhrat që shpall gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Kur një nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjë anëtari të trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre, këto duhet të pasqyrohen në procesverbal. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor civil, gjykata, me vendim, i lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkesat dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Në Kodin e Procedurës Civile njihen këto lloj provash: dëshmitarët, shkresat, filmat fotografike kinematografike dhe regjistrime të tjera, pohimet e palëve, këqyrja e personave, sendeve dhe këqyrja në vend, eksperimenti. Në rast se një provë rrezikon të zhduket, gjykata merr vendim për sigurimin e saj. Në çështje për të cilat kërkohen njohuri të posaçme në fushën e shkencës, teknikës e në fusha të tjera, gjykata, vetë ose me kërkesën e palëve, cakton ekspert. Gjykata, pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi, merr vendim, me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj, ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj.
Ndaj vendimit të gjykatës palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit, gjatë shqyrtimit të çështjes, mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile. Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht, Gjykata e Apelit mund të përsërisë tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›