E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja midis krijimit të Federatës dhe Frontit opozitar



Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duket se ka të projektuar në tavolinën e tij dy opsione për mënyrën se si do të paraqitet opozita në vitet e ardhshme dhe më konkretisht në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Procesi i ardhshëm zgjedhor, si dhe oponenca ndaj bashkëqeverisjes PD-LSI duket se e bën mjaft të domosdoshme riorganizimin e opozitës shqiptare, e cila pritet të rikonfigurohet pas përzgjedhjes së dy opsioneve të projektuara, të cilat janë: krijimi i Federatës së Majtë, apo krijimi i një fronti opozitar me pjesëmarrjen e partive të djathta. Opsioni i parë parashikon shkrirjen në një parti të vetme të të gjitha formacioneve të majta, ndërsa opsioni i dytë bën fjalë për zgjerimin e nivelit të bashkëpunimit edhe përtej të majtës, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me parti të djathta, të cilat gjenden në opozitë. Përzgjedhja e një prej dy opsioneve në fjalë pritet të kristalizohet më qartë me afrimin e zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet lokale
Zgjedhjet lokale të vitit 2011 përbëjnë një betejë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Edi Ramës në krye të PS-së. Për këtë arsye, Rama mund t’u lërë vend interesave pragmatiste dhe qëllimit të fitores së këtyre zgjedhjeve, duke e zgjeruar bashkëpunimin edhe me partitë e djathta. Ky bashkëpunim do të konkretizohet me krijimin e Frontit opozitar, që do të drejtohet nga PS-ja, dhe ku përveç pjesëmarrjes së aleatëve tradicionalë të majtë, me shumë mundësi në të do të marrin pjesë edhe parti të tilla si PDK, LZHK apo Partia Ligj e Drejtësi, të cilat edhe pse janë të spektrit të djathtë, janë në opozitë me maxhorancën aktuale. Krijimi i Frontit opozitar, që ka për qëllim, mund të konkretizohej në formimin e një koalicioni të përbashkët në zgjedhjet e 2011-s do t’i shërbente Ramës në strategjisë për mbledhjen e sa më shumë votave. Duke mbledhur sa më shumë vota, madje edhe nga spektri i djathtë, PS-ja do të hynte edhe më e sigurt në garën për fitimin e zgjedhjeve lokale, ndërkohë që aleatët e djathtë do të motivoheshin për të hyrë në koalicion, pasi do t’u liheshin zona të lira nga PS-ja, në komuna dhe bashki të vendit.

Konfederata
Opsioni i Konfederatës së majtë është hedhur prej kohësh nga kryetari i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi. Ky i fundit është takuar disa herë me Ramën për të diskutuar në lidhje me këtë çështje. Konfederata e majtë nënkupton shkrirjen e partive nën siglën e PS-së dhe të së majtës, ku eksponentët e partive të vogla aleate do të kenë mundësinë e gjerë të përfaqësimit në organet drejtuese të konfederatës apo në listat e kandidatëve të saj. Në konfederatën e majtë përveç PS-së pritet të marrin pjesë partitë e majta si Partia Social Demokrate dhe Partia Demokracia Sociale, por edhe aleatja e re e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit, G99. Gjithashtu në Konfederatë pritet të përfshihen edhe ish-drejtues të LSI-së, konkretisht Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Mustafa Muçi dhe Fatos Klosi.

Milo parashikon krijimin e Frontit opozitar
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, gjatë një prononcimi disa ditë më parë për gazetën “Albania” deklaroi se opozita po shkon gjithnjë e më shumë drejt krijimit të Frontit opozitar. “Po shkohet drejt krijimit të një fronti të vetëm opozitar, me pjesëmarrjen e çdo force opozitare”, - ka deklaruar Milo. Kreu i PDS-së deklaroi gjithashtu se ishte takuar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të biseduar rreth strategjisë, e cila do të nxirrte fituese opozitën në zgjedhjet e ardhshme lokale. I pyetur se si e komentonte ftesën e bërë nga kryesocialisti Edi Rama për bashkëpunim edhe me partitë e djathta si në rastin e PDK-së, Milo tha se perspektiva e opozitës së sotme është krijimi i një fronti të vetëm opozitar.

Rama, takim edhe me opozitarët e djathtë
Kreu në detyrë i Partisë Socialiste Edi Rama ka nisur një tur takimesh, të cilat kanë për qëllim riorganizimin e forcave opozitare. Pas takimit me aleatin tradicional, kreun socialdemokrat, Skënder Gjinushi, Rama është takuar me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ndërkohë që pritet që kryesocialisti të zgjasë dorën e bashkëpunimit edhe me krerët e partive të djathta, gjithnjë nëse ato të jenë në pozicione opozitare ndaj qeverisë së re dhe kryeministrit Berisha. Disa ditë më parë, Rama është takuar me Ndokën, ndërkohë që pritet që në ditët në vazhdim ai të zhvillojë takime me kreun e LZHK-së Dashamir Shehi dhe kreun e PLD-së, Spartak Ngjela. Bisedimet e kryetarit të Partisë Socialiste me krerët e partive opozitare kanë lidhje me aktualitetin politik, por edhe me organizimin e opozitës për zgjedhjet më të afërta, që janë zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Ndoka: “Nuk e përjashtoj bashkëpunimin e gjerë me Ramën”

Disa ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u takua me kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka. Pas takimit, Ndoka pohoi se kishte folur rreth rëndësisë së hetimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, por ai zbuloi gjithashtu se kishte biseduar me Ramën edhe për zgjerimin e bashkëpunimit midis PDK-së dhe PS-së. “Kemi rënë dakord se hetimi administrativ është shumë i rëndësishëm për të bërë transparencën e zgjedhjeve elektorale të 28 qershorit. Këto zgjedhje nuk i plotësuan standardet për shkak të manipulimeve dhe deformimeve të rënda, për të cilat përgjegjësja kryesore është Partia Demokratike dhe qeverisja e kryeministrit Sali Berisha. Jemi ndalur kryesisht në atë çka ka ndodhur në qarkun e Shkodrës, ku PDK-së dhe PS-së iu grabitën secilës nga një mandat për shkak të këtyre manipulimeve. Kemi folur gjithashtu edhe për zgjerimin e bashkëpunimit për çështje të tjera politike”, - ka deklaruar Ndoka.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›