Dy shtetas kosovarë, dyshohet të jenë bashkëpunëtorë në vjedhjen e bankave nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit. Në këtë konkludim ka arritur prokuroria e Tiranës e cila po heton rastin prej një muaji fill pas arrestimit të 17 personave në kryeqytet. Banda e bankomateve, u shkatërrua në fillim të muajit korrik të këtij viti në Tiranë. 17 personat të cilët përfunduan në pranga dyshohet se kanë kryer mbi 400 vjedhje me anë të falsifikimit të kartave të kreditit, duke përfituar rreth 2 milionë euro. Ndërkohë që pas arrestimit të bandës së bankomateve, prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet për të zbuluar mekanizmin e vjedhjes dhe të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet. Kështu nga hetimet e kryera ka dalë edhe emrat e dy bashkëpunëtorëve të këtij rrjeti të cilët rezultojnë të jenë shtetas kosovarë. Burime nga organi i akuzës thanë se, hetuesit e çështjes janë duke mbledhur informacione për zbuluar pozicionin e dy kosovarëve në këtë bandë. Ndërkohë që për shkak të hetimeve prokuroria nuk bën të ditur identitetin e dy të dyshuarve duke shtuar se po punohet për të lokalizuar vendndodhjen dhe më pas kapjen e tyre. Në fund të vitit 2007policia e Tiranës, për herë të parë u përball me një aktivitet të jashtëligjshëm të kryer nga disa grupe të rinjsh, një pjesë e mirë e të cilëve studentë, të cilët u arrestuan në korrik të këtij viti. Operacioni i koduar “Matrix 4”, që çoi në pranga 17 personat që falsifikonin kartat e kreditit. 19-vjeçari Endrit Gjergjani, student i Juridikut, ishte cilësuar si kreu i grupit të hakerave shqiptarë. Nëpërmjet një pajisjeje elektronike të sofistikuar, ai mundi të “klonojë” kartat e kreditit me informacione të personalizuara, të blera në internet, duke bërë të mundur vjedhjen e shumë llogarive bankare të shtetasve të huaj. Mësohet se Gjergjani, bashkë me anëtarët e grupit mes tyre edhe babai i tij, blinin me anë të internetit sende me vlerë. Gjergjani u shpërndante shokëve të tij kartat e kreditit me anë të së cilave mund të realizonin deri në 10 blerje dhe më pas klononte të tjera karta. Anëtarët vepronin nga dy persona ose edhe nga një. Pasi vilnin para nga bankomatet, pjesëtarët e grupit dhe me anë të internetit blinin sende të tjera. Hetimet zbuluan se, 19-vjeçari Endrit Gjergjani ishte lidhur me hakera kompjuterikë, të cilëve u blinte numrin serial dhe kodin e kartës. Më pas i klononte kartat e kreditit, duke u vendosur edhe numrin serial. Gjithë “pazari” kryhej më anë të mesenxherit në internet. Më pas, me anë të këtyre kartave që grupi kishte klonuar, bënin të mundur blerjet. Por policia bëri të ditur se në disa raste kartat u bllokoheshin nga bankomatet. Në fakt, kjo gjë nuk i ka penguar 17 personat me në krye studentin 19-vjeçar të kryenin mbi 400 vjedhje, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj. nëpërmjet të cilave, vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në SHBA, Kanada, Angli.
Si u zbulua banda e bankomateve
Mashtrimi u zbulua fillimisht nga një bankë në vendin tonë, e cila më 30 nëntor të vitit të kaluar kreu denoncim në polici. Sipas deklaratave të zyrtarëve të kësaj banke, në disa bankomate u konstatua bllokimi automatik i kartave plastike, me të cilat ishte tentuar të tërhiqen para. Fill pas këtij informacioni që kishte shqetësuar jo pak këtë bankë, e cila u pasua nga disa banka të tjera, policia nisi menjëherë hetimet. I cilësuar si hetim tejet i vështirë, agjentëve të antikrimit ekonomik u është dashur ndihma e prokurorisë dhe ekspertëve të informatikës. Në hetimin e kësaj çështjeje u angazhuan mbi 30 agjentë dhe oficerë të policisë, ku për rreth tetë muaj mundën zbardhnin të gjithë mekanizmin e vjedhjes si dhe autorët e saj. Operacionin “Matrix 4” i organizuar më 4 korrik të këtij viti u finalizua me arrestimin e 17 personave ndërsa policia mundi të sekuestronte dhe prova të mjaftueshme të cilat dëshmojnë autorësinë e të arrestuarve. Gjithashtu në pyetje u morën rreth 36 persona të cilët më pas u lanë të lirë. Prokuroria vazhdoi më tej hetimet për të identifikuar dhe kapur të tjerë persona të mundshëm të implikuar në bandën e bankomateve.