E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në punishten e Solarit, vdes pronari

Elbasan, pronari i punishtes ka vdekur në spital, kishte djegie në 100% të trupit. Në gjendje të rëndë punëtori tjetër

ELBASAN- Një shpërthim i fuqishëm i regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një punishte brenda në ish-kombinatin metalurgjik duke i marrë jetën një personi dhe plagosur një tjetër. Sajmir Bena, 36 vjeç, pronar i punishtes ka gjetur vdekjen rreth orës 14.00 në Spitalin Ushtarak në kryeqytet si pasojë e djegieve të pësuara, ndërsa punëtori tjetër i dëmtuar Feta Sula, 48 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë me djegie në 50 % trupit. Një grup hetimor i ngritur për ngjarjen ka konfirmuar paraprakisht se shkak i rënies së zjarrit ka qenë prodhimi në mënyrë artizanale i nënprodukteve të naftës duke përdorur ngrohjen me zjarr. Viktima e këtij shpërthimi tre muaj më parë ishte arrestuar nga policia pasi u kap duke tregtuar një sasi të konsiderueshme solari dhe mazuti që të përziera bashkë tregtoheshin si naftë.

Ngjarja

Rreth orës 04.30 të mëngjesit, një ekip zjarrfikës dhe efektiva të policisë janë nisur drejt ish-Kombinatit Metalurgjik në afërsi të Uzinës 12 ku ishte njoftuar se kishte rënë zjarr. Në disa depozita të mbushur me solar. Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy të dëmtuarit të cilët për shkak të shpërthimit kishin pësuar dëmtime të rënda. Menjëherë dy të dëmtuarit janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku bëhet e ditur se pasi kanë qëndruar për pak minuta, mjekët kanë kërkuar transportin për në spitalin ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar. Sipas mjekes së specializuar për djegiet, Sajmir Bena kishte pësuar djegie të shkallës së dytë në 100% të trupit ndërsa Fetah Sula në 50%. Sipas dëshmive të personelit mjekësor, djegia ishte e shkallës së rëndë sidomos për 36- vjeçarin, i cili gjeti vdekjen pas pak orësh në spitalin ushtarak. “Ndihma e parë iu dha në spital pasi dy të dëmtuarit nuk mund të niseshin në atë gjendje. Vështirë se mund të shpëtonte një njeri me një djegie të tillë. Ne bëmë të pamundurën dhe vendosëm t’i transportonim në Tiranë në repartin e djegieve për një mjekim më të specializuar”,- thanë dje mjekët e urgjencës së spitalit të Elbasanit. Ndërkohë zjarrfikësit kanë mundur të fikin zjarrin e rënë në punishten që kishte si pronar shtetasin Bena.

Hetimet

Një ekip hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me ekspertët zjarrfikës kanë përcaktuar edhe shkaqet e rënies së zjarrit. Sipas të dhënave të para zyrtare, dy shtetasit e dëmtuar kanë qenë duke punuar për përzierjen e nënprodukteve të naftës duke përdorur ngrohjen me zjarr. Për shkak të mungesës së sigurimit teknik dhe pajisjeve të specializuara për këtë aktivitet është aktivizuar një zjarr i shoqëruar nga shpërthimi i karburanteve të ndodhura në punishte. Nuk dihet ende nëse 36- vjeçari ishte i licencuar për aktivitetin në punishten e tij. Kjo gjë po verifikohet nga policia nëpërmjet strukturave të tatimeve dhe komunës së Bradasheshit.

Precedenti

Bena u arrestua për prodhim të kundërligjshëm nafte

Rreth katër muaj më parë, pronari Sajmir Bena është arrestuar në flagrancë nga policia pasi në punishten e tij artizanale janë sekuestruar rreth 50 mijë litra solar dhe pesë mijë litra naftë. Seksioni Kundër Krimit Ekonomik-Financiar i Elbasanit, pasi realizoi bllokimin e sasisë që prodhohej në mënyrë të paligjshme, kërkoi procedimin e 36- vjeçarit për veprën penale të prodhimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të mallrave industrial. Mësohet se një muaj pas arrestimit shtetasi Sajmir Bena u la në hetim në gjendje të lirë nga gjykata. Punishtja që mëngjesin e së shtunës u kthye në varrin e tij nuk duhet të funksiononte më por viktima i ishte rikthyer aktivitetit pa asnjë masë sigurie. Familjarët kanë sjellë rreth orës 18 trupin e pajetë të 36- vjeçarit, i cili banonte në lagjen Shënkoll të Elbasanit. Ndërkohë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë 48- vjeçari Sula i djegur në masën 50% nga solari. -----------------------------------------------------Mjekët e urgjencës kanë kërkuar ndihmën e helikopterit por më pas janë detyruar t’i nisin të plagosuri me makinë

Mungon helikopteri, i plagosuri transportohet me makinë

ELBASAN- Ngjarja e djeshme ka kapur të papërgatitur mjekët e urgjencës në spitalin e Elbasanit. Ata kanë bërë gjithçka që kanë mundur me mjetet e pakta që kishin në dispozicion dhe më pas kanë kërkuar ndihmë më të specializuar. Ata kanë kërkuar që dy të plagosurit nga shpërthimi të dërgoheshin urgjentisht në Tiranë, ku të kuroheshin në repartin e djegieve në Spitalin Ushtarak. Por alarmit të lëshuar nga mjekët e urgjencës së Elbasanit nuk i është përgjigjur askush. Edhe pse mjekët kanë kërkuar një mjet të shpejtë transporti, siç është helikopteri, kjo gjë nuk i është vënë në dispozicion. Ministria e Shëndetësisë disponon një helikopter që mund të përdoret në situata të tilla por ende nuk dihet përse ai nuk është përdorur. Në këto kushte mjekët elbasanas janë detyruar që të nisin dy të plagosurit me makinë në drejtim të Tiranës. Në orët e mëngjesit ata kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Disa orë më vonë, Sajmir Bena ka gjetur vdekjen si pasojë e djegieve të mëdha në trup. Vonesa e shkaktuar nga transportimi i kryer me makinë ka hedhur dyshimet se ai edhe mund të kishte shpëtuar nëse do të kishte mbërritur më shpejt në kryeqytet. Por mjekët e repartit të djegieve në Spitalin Ushtarak kanë dalë, në një farë mënyre, në mbrojtje të Ministrisë. Ata kanë pohuar se Sajmir Bena kishte djegie të shkallës së tretë në pothuajse 100 për qind të trupit. “Në këto kushte, edhe po të kishte ardhur më herët tek reparti ynë, ai kishte shumë pak shanse për të mbijetuar”,- thanë dje mjekët e Spitalit Ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›