E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen e-mailet e Alibeajt për Gërdecin

Fakte dhe dokumente që vërtetojnë se ministri ka qenë një nga hartuesit e legjislacionit që mundësuan ngritjen e Gërdecit

Zbulohen fakte që e lidhin ministrin aktual të drejtësisë me hartimin dhe drejtimin e procesin ligjor që çoi në përgatitjen e tragjedisë së Gërdecit. Pa asnjë lidhje funksionale me Forcat e Armatosura, Alibeaj konsulton zyrtarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes dhe u bën mbledhje në zyrën e tij të dikurshme në Këshillin e Ministrave, ku drejtonte departamentin antikorrupsion. Ish-këshilltari juridik i Mediut pyetet në Prokurori pikërisht për këto lidhje, MAPO dëshmon provat.

"Fati" merr për ters edhe për atë vetë. Enkelejd Alibeaj, 35 vjeç, ministër i drejtësisë, me të gjitha gjasat, është përfshirë në listën e gjatë të zyrtarëve të lartë shqiptarë të dyshuar për lidhje direkte me tragjedinë e Gërdecit. Ministri aktual i drejtësisë konfirmohet se është një nga autorët kryesorë të hartimit të paketës ligjore që shtroi rrugën për ndryshimin e procedurës së trajtimit të armëve dhe teknikës në përdorim të Forcave të Armatosura, të cilat hiqeshin nga pronësia e saj. Emri i tij tashmë është shënuar në dosjen voluminoze të hetimit që prokuroria e përgjithshme ka nisur prej muajsh për tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi vrasjen e 26 qytetarëve, plagosjen e qindra të tjerëve dhe shkatërrimin e pronës në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh. Ministri shqiptar i Drejtësisë, duke qenë në detyrën e drejtorit të departamentit të Antikorrupsionit dhe të Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, ka luajtur një rol aktiv, krejtësisht pa asnjë lidhje me detyrën e tij zyrtare, në përpilimin e akteve ligjore që paraprinë Gërdecin. Në cilësinë e provës materiale, organi i akuzës ka mundur të sigurojë një numër e-mail-esh të zotit Alibeaj, të cilat ai ja adresonte ministrisë së mbrojtjes, me cilësinë e një eksperti. Mësohet gjithashtu, se në zyrën e tij në vjetër në kryeministri, në shumë raste, janë zhvilluar takime "konsultimi" me zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes, pikërisht për këtë qëllim.

Për momentin, përmendja e emrit të tij dhe roli që ai ka luajtur në këtë histori është ruajtur në kushtet e sekretit të plotë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme çdo informacion në lidhje me të, konsiderohet i klasifikuar dhe sekret hetimor. Megjithatë mësohet, se shpejt Alibeaj mund të kërkohet të pyetet me cilësinë e personit me dijeni për ngjarjen dhe për të dhënë shpjegime për përfshirjen e tij në këtë histori, rol i cili mund të klasifikohet paraprakisht edhe shpërdorim detyre. Provat për një gjë të tillë tashmë janë në dorë të organit të akuzës, që për më shumë, ka siguruar dhe dëshmi të tjera nga "partnerët" e dikurshëm të zotit Alibeaj, të cilët nuk kishin asnjë lidhje zyrtare apo funksionale me të. Të paktën njëri nga ta, ish-këshilltari juridik i ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, Plarent Ruka, është pyetur dy javë më parë për orë të tëra në Prokurori me cilësinë e dëshmitarit. Ruka, i larguar nga detyra në korrik të këtij viti ka qenë kryesisht njeriu i pikës së kontaktit mes ministrisë së mbrojtjes dhe drejtorit të departamentit të antikorrupsionit.

Alibeaj përgatiti bazën ligjore pas kërkesës së SAC-it për demontim armësh. E-mail-et me këshilltarin e Mediut

E-Mail-et që "fundosën" ministrin e Drejtësisë

Ekziston një korrespondencë e plotë elektronike dhe një numër i pacaktuar ende takimesh me protagonist Enkelejd Alibeajn dhe zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes. Ato janë zhvilluar në kryeministri në periudhën që nis me dhjetorin e vitit 2006 dhe janë intesifikuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007. Në këto e-mail-e, një pjesë e të cilave tashmë ndodhen në dosjen voluminoze të akuzës, me gjithë gabimet e shumta drejtshkrimore, Alibeaj afronte asistencë juridike dhe zgjidhje për problemin se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura. Kryesisht marrësi i tyre ishte Plarent Ruka, këshilltari juridik i ministrit të mbrojtjes, me adresë plarentruka¬yahoo.com.

Ishte koha kur kompania amerikane SAC kishte kërkuar të kryente demontimin e fishekëve dhe ministria e mbrojtjes ishte gati t´ja afronte një punë të tillë me prokurim të drejtpërdrejtë. Fillimisht u vu re se mungonte baza ligjore për ta kryer një veprim të tillë dhe këtu hyn në lojë vetë Alibeaj. Mbas disa takimeve radhazi në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave, ai i drejton në 22 janar 2007 një e-mail këshilltarit juridik të Mediut. Ai bashkëngjit një "relacion mbi situatën juridike dhe mundësitë ligjore për implementimin e një marrëdhënieje kontraktore të drejtpërdrejtë për rastin konkret". Bëhet fjalë pikërisht për mënyrën sesi duhej të sillej shteti shqiptar dhe si duhej të lejonte ai nisjen e aktivitetit të SAC-ut, që më pas do të niste bashkëpunimin me Albademil-in e Mihal Delijorgjit, biznesmeni tashmë i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit.

Pavarësisht gabimeve drejtshkrimore, toni i Alibeajt, njëlloj si të demonstronte një pushtet real për marrësin e E-Mail-it, është vërtet autoritar: "Ajo që duhet të bëni është hartimi i një udhëzimi i cili përcakton ca modalitete dhe një rradhë veprimesh midis FA-MEICO-departamenti ekonomik i ministrisë. Ky udhëzim del në bazë të pikës 3 të VKM 716 dhe në këtë mënyrë përcaktohet dhe shtrati normativ për marrëdhëniet kontraktore konkrete", shkruan Alibeaj.

Nga një kërkim në faqet e vendimeve të këshillit të ministrave, rezulton se një vendim me këtë numër, 716, nuk ka asnjë lidhje me armët dhe armatimin. Një lapsus i ministrit të ardhshëm, në fakt ai kërkonte t´i referohej një vendimi të qeverisë Nano, me numër 617. Dhe konkretisht, bëhet fjalë për një vendim të dalë në 4 dhjetor 2002, të këshillit të ministrave dhe të firmosur nga ish-kryeministri Fatos Nano me titull "Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të një pjese të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura dhe për asgjësimin ose çmontimin dhe shitjen e tyre". Pika tre e këtij vendimi, që i referohet Alibeaj, autorizonte ministrin e mbrojtjes që "të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi". Dhe në fakt kështu ndodhi. Por materiali ligjor i paraqitur nga ish-ministri i mbrojtjes Mediu nuk kaloi në qeveri, ai u rrëzua dhe i hapi rrugë hartimit të vendimit 138, të datës 14 mars 2007, fiks një vit e një ditë pas të cilës ndodhi tragjedia e Gërdecit. "Lexoje dhe po pate ndonjë gjë të paqartë, takohemi", firmos rregullisht Enkelejd Alibeaj në korrespondencën e tij elektronike me ish-zyrtarët e ministrisë së mbrojtjes.

Dëshmitari nga ministria e mbrojtjes

Ndoshta është ndjerë edhe i tradhtuar. Ndoshta edhe i përdorur. Ndoshta fati i tij i keq ka qenë që u ndodh në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Plarent Ruko është pyetur për orë të tëra në prokurori në lidhje me dijeninë e tij për përfshirjen e ministrit aktual të drejtësisë në një situatë të tillë. Nuk dihet dhe nuk bëhet e ditur se çfarë ka dëshmuar ai, por pavarësisht kësaj, pozicioni i ministrit Alibeaj është më së paku vërtet shumë delikat. Duke qenë në një detyrë që nuk kishte asnjë lidhje me Forcat e Armatosura, ai bëhet jo vetëm pjesë, por dhe drejtues i procesit të shkrimit të bazës ligjore që do të paraprinte Gërdecin. Ish-drejtuesi i departamentit antikorrupsion e sheh kështu veten të përfshirë në një nga aferat më të mëdha korruptive dhe kriminale në vend, e sheh veten së paku në një pozicion të dyshimtë. Pretendimi se ai ka dhënë thjesht ndihmesë vullnetare në këtë proces, është i pambështetur askund në ligj dhe në detyrat konkrete që ai ka mbajtur pranë Këshillit të Ministrave.

Tre ministrat e Drejtësisë dyshohet se kanë pasur dijeni dhe janë implikuar në çështjen e trafikut të armëve

Ministrat e Berishës dhe organizimi i Gërdecit

Situata bëhet edhe më delikate, nëse për një veprimtari të tillë të vartësit të tij, ka pasur apo jo dijeni vetë kryeministri Berisha. Berisha e ka mohuar vazhdimisht një gjë të tillë – dijeni për atë çka parapriu Gërdecin - por po ai vetë në datën 15 nëntor 2007, në konferencë shtypi kur prezantoi Alibeajn si ministër të drejtësisë, pohoi se tek Alibeaj ai ka gjetur: "...një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, më efiçent dhe një nga juristët më të talentuar që unë kam njohur, drejtuesin efiçent të Departamentit të Antikorrupsionit dhe të Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, i cili, në këto dy vjet, ka dhënë një kontribut thelbësor në luftën kundër korrupsionit". I cili siç vërtetohet tashmë fatkeqësisht, është një nga pjesët e mekanizmit shtetëror që krijoi vetë Gërdecin.

Dy ministrat e drejtësisë dhe i treti në mes

Në tre vitet e mandatit qeverisës së PD-së, janë ndryshuar tre ministra në krye të asaj të drejtësisë. Në fillim Aldo Bumçi, pastaj Ilirjan Rusmajli dhe së fundi Enkelejd Alibeaj. Bumçi, tashmë zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së është shndërruar në një tabelë qitjeje nga PS-ja. Në më shumë se një rast, ai është konsideruar si i përfshirë gjithashtu në aferën tragjike të Gërdecit. Njëherë në Kuvend nga Taulant Balla dhe pastaj në më shumë se një rast nga zëdhënësja e kryesisë së PS-së Mimi Kodheli, ai është konsideruar se ka shpërdoruar detyrën si ministër i drejtësisë për të favorizuar trafikun e armëve. "Zelli i tij me të cilin ai i shërben klanit Berisha nuk do ta shpëtojë dot nga detyrimi për t´u rrëfyer përpara organeve të drejtësisë në lidhje me këtë fakt", tha për herë të fundit në në 12 tetor Kodheli. Në Partinë Socialiste sigurojnë se ata kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë pretendimin për implikimin e mundshëm të Bumçit në tragjedinë e Gërdecit, prova të cilat ndodhen edhe në dosjen hetimore të organit të akuzës. Veç të tjerash, ata përmendin edhe një shkresë zyrtare të firmosur nga Bumçi të marsit 2007, pak ditë përpara se të miratohej vendimi 138, i datës 14 mars 2007. Nuk e kanë bërë ende publike një gjë të tillë – ajo është dhe në tryezat e përfaqësuesve të disa prej ambasadave në Tiranë – me pretendimin se hetimi është një atribut ekskluziv i prokurorisë.

Edhe pse nuk është bërë kurrë publike, zëra gjithmonë e më autoritarë e lidhin emrin e ish-ministrit të drejtësisë Rusmajli me rrjedhje të dhënash të rezervuara në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, por dhe skandale të tjera në të cilat është përfshirë qeveria Berisha. Nëse ka ndodhur vërtet kështu, atëherë gjithçka do të konsiderohej si pjesë e një hakmarrjeje të vonuar të një prej ish-bashkëpunëtorit më të afërt të zotit Berisha. Të tjerë zëra në PD, madje e konsiderojnë edhe largimin e Rusmajlit nga detyra po në nëntor 2007, si pjesë e kundërshtimit të tij që ai ka patur me segmente shtetërore dhe jo të tillë për mënyrën se si duhej vepruar me demontimin dhe tregtimin e armëve që largoheshin nga pronësia e Forcave të Armatosura.

Alibeaj është ministri i tretë i drejtësisë që shënon emrin në dosjen e nxehtë. Në Prokurori nuk pranojnë të komentojnë nëse ai do të thirret të japë shpjegimet e tij në lidhje me këto fakte. Një gjë e tillë, nëse ndodh, do të acarojë edhe më tej marrëdhëniet e tij të tendosura me organin e akuzës, por dhe me gjithë sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

Berisha prezanton Alibeajn, 15 nëntor 2007

Jam para jush për të paraqitur kandidatin tim për Ministër të Drejtësisë, zotin Enkelejd Alibeaj, një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, më efiçent dhe një nga juristët më të talentuar që unë kam njohur, drejtuesin efiçent të Departamentit të Antikorrupsionit dhe të Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, i cili, në këto dy vjet, ka dhënë një kontribut thelbësor në luftën kundër korrupsionit.

Me ekipin që ka drejtuar, zoti Alibeaj ka bërë të mundur qëndrime ligjore në dhjetëra dhe qindra raste, ka dorëzuar në institucionin e Prokurorisë dhjetëra e dhjetëra dosje. Zoti Alibeaj ka qenë, para ardhjes sonë në pushtet, një nga ekspertët tanë më të mirë në fushën e ligjeve, një bashkëpunëtor në reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi ynë në mbrojtje të së drejtës së votave të grabitura e mandateve të dhunuara. Unë kam bindjen më të madhe se zoti Alibeja, një magjistrat i brilant, do t'ju përkushtohet reformave në sistemin e drejtësisë, në sistemin e vuajtjes së dënimeve dhe të gjitha agjencive që kjo ministri, ndër më të rëndësishmet e vendit, ka nën autoritetin e saj.

Detaji që mungoi në konferencën për shtyp të kryeministrit, por që u komentua gjatë nga media dhe opozita, ishte fakti që Alibeaj ishte një nga miqtë më të ngushtë të vajzës së tij Argita. Opozita pretendoi se pikërisht kjo lidhje mundësoi emërimin e tij si ministër të drejtësisë.

Kush është Alibeaj?

I lindur në 11 shtator 1973, Alibeaj është magjistër. Ai ka kryer një sërë kualifikimesh afatshkurtëra në Poloni, Bullgari, Itali e gjetkë. Për një vit ka punuar në gjykatën e Tiranës, por më pas u largua nga detyra me vendim të KLD-së sepse nuk pranoi emërimin e ri që ju dha jashtë Tiranës. Në vitet 2000-2005 ai krijoi studion ligjore Alibeaj & Ass dhe drejtoi një OJF. Ka pasur dhe aktivitet akademik në universitet duke dhënë lëndën e të Drejtës Kushtetuese. Alibeaj njihet si një nga hartuesit kryesorë të dosjes, mbi bazën e së cilës maxhoranca shkarkoi kryeprokurorin Sollaku. Po kështu, ka hartuar dosjen me shkeljet në Albtelekom, ku drejtuesit e tij të emëruar pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, u akuzuan për shpërdorim detyre. Një dosje që nuk përfundoi kurrë në prokurori dhe u mbyll në rrethana të paqarta, ndonëse flitej për vjedhje në shifra shumë milion euro. Alibeaj njihet edhe si zyrtari që ka "prodhuar" mbi 200 dosje që u referoheshin dyshimeve për korrupsion të ish-zyrtarëve më të lartë socialiste, asnjë prej të cilave, gjithashtu, nuk ka mbërritur në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›