Kostoja politike e Fazlliçit, rekord historik
DESTABILIZIMI I KRYEMINISTRIT
Kryeministri, Sali Berisha, ka hyrë në një spirale të pakthyeshme konflikti me institucionet e drejtësisë në vend dhe diplomatët perëndimorë për shkak të dosjes "Fazlliç". I ngarkuar emocionalisht ndaj kryeprokurores, pse kjo e fundit lejoi të hapej proces penal ndaj tij, ai hodhi në betejë gjithë ushtarët e tij, ministra, drejtues partie, gazetarë, deputetë dhe në fund veten e vet.
Kostoja politike e Damir Fazlliçit arriti kështu një rekord historik në politikën shqiptare. Ai është praktikisht targeti i drejtësisë shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe "Kështjella" që nuk braktiset prej Berishës. Për shkak të këtij vendimi Berisha tashmë ka një problem të madh, justifikimin e kësaj beteje në opinionin publik.
Demokratët e thjeshtë pyesin përditë se, ç'është ky Damir Fazlliçi, që nuk e paskëshin njohur më parë dhe që për të, kryeministri i tyre, është gati të dorëzojë pushtetin? Zyrtarët normalë të shtetit ngrenë supet dhe pyesin, kush është ky Damir Fazlliçi, që ata duhet të kyçin sirtarët dhe të mos japin asnjë letër që ka lidhje me të? Deputetët normalë të shumicës rrinë me gjak të ngrirë mos thirren ushtarë në betejë për të mbrojtur Damir Fazlliçin. Ministrat struken pas tavolinës, kur u bie zilja e kryeministrit, nga frika se mos i thërret për të mbrojtur Fazlliçin.
Por problemi nuk është te mënyra, se si e përjeton shumica dramën "Fazlliç", por si e përjetojnë diplomatët perëndimorë reflektimin e kryeministrit. Gjëja e parë që ata mbajnë shënim, është se kryeministri ka hedhur shtetin në betejë për të mbrojtur një individ të përfolur për afera korruptive në gjithë Ballkanin. Gjëja e parë që duhet të bënte kryeministri, ishte e kundërta. Ai duhet të vinte shtetin në dispozicion të hetimit të tij, ngaqë e ka mik, për të dëshmuar se ka miq të pastër. Destabilizimi i tij psikologjik dhe politik, që pas nisjes së hetimeve, është një akuzë e fortë për të.
Problemet mbeten të hapura dhe Berisha ka një tokë të minuar përpara vetes, ku është paralajmëruar qartë të mos shkelë. Nuk duhet të ngrejë më komision për Ina Ramën, nuk duhet ta miratojë kështu siç është ligjin për administratën gjyqësore, nuk duhet të shmangë hetimet për Fazlliçin, nuk duhet të bëjë presion për Gërdecin, nuk duhet të mbështesë qëndrimet e Nishanit dhe Alibeajt, nuk duhet të fyejë diplomatët perëndimorë duke i konsideruar vërejtjet e tyre keqkuptim.
Asnjë nga këto detyra ai nuk e bën dot. As do e as mund. Është një thirrje që ai të dorëzojë pushtetin, që mezi ka grumbulluar rreth vetes. Thellë-thellë, ai dhe mund të jetë gati ta dorëzojë, por ata që ka përballë duan ta detyrojnë ta bëjë këtë publikisht. Këtë nuk e bën dhe mund t'i humbasë të gjitha. Dhe kur mendon se, shkak i fundit i kësaj është një njeri i super-përfolur si Damir Fazlliçi, dyshimet për lirinë e kryeministrit shtohen shumë.
*Marrë me shkurtime nga sajti online i gazetës "Tema". Titulli është i redaksisë