E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen kandidatët, Mesi favorit për "Lojtarin më të Mirë në Botë"

Spanja dhe Barcelona dominojnë listën me nga gjashtë futbollistë
Zbulohet kandidatët për çmimin "Lojtari më i Mirë në Botë" të FIFA-s për vitin 2009. Të gjithë futbollistët që janë përfshirë në listën e vogël me 23 emra luajnë në ligat më të rëndësishme europiane. "Qeveria" e futbollit botëror publikoi yjet që do të jenë në garë për trofeun prestigjioz, vetëm një javë pasi "France Football" bëri të ditur kandidatët për "Topin e Artë". Edhe në këtë çmim, dominojnë lojtarët e Barcelonës dhe ata të përfaqësueses spanjolle. Nga skuadra kampione e Europës, konkurrojnë gjashtë emra: Mesi, Ksavi, Iniesta, Pujol, Henri dhe Samuel Eto‘o (që tashmë mbron ngjyrat e Interit). Kamerunasi i larguar në fillim të sezonit, "kompensohet" nga prezenca e Zlatan Ibrahimoviç, i cili është bërë pjesë e listës si element i Barçës, por për paraqitjet me kampionët e Italisë. Ndryshe nga kandidaturat për "Topin e Artë", nga katalanët është përfshirë kapiteni Pujol, ndërsa është lënë jashtë Jaja Ture. Klubi i dytë më i përfaqësuar është Çelsi me pesë futbollistë.
Kombëtarja e Spanjës ka gjashtë lojtarë, ku përveç "blaugranave" Ksavi, Iniesta e Pujol, kandidatë të tjerë janë edhe portieri Iker Kasiljas dhe dyshja sulmuese e përbërë nga Fernando Torres e David Vija. "Furia e kuqe" klasifikohet përpara Anglisë, e cila ka në garë mbrojtësin Xhon Terri, dy mesfushorët Stiven Xherard dhe Frenk Lampard dhe sulmuesin Uein Runi. Gjithsesi, favoriti kryesor për t‘u shpallur "Lojtari i Vitit 2009" është argjentinasi Lionel Mesi. Pas tij, shanse të mira ka edhe fituesi i edicionit të kaluar, portugezi Kristiano Ronaldo. Brazili ka tre futbollistë mes kandidatëve: ata janë fantazisti i Juventusit, Diego, mesfushori i Realit të Madridit, Kaka dhe sulmuesi i Seviljas, Luis Fabiano. Një tjetër goditje merr futbolli italian, që prezantohet vetëm me portierin Xhixhi Bufon. Gjithsesi, FIFA është treguar më "bujare" se "France Football", që nuk kishte përfshirë asnjë "axurr" mes kandidatëve për "Topin e Artë". Dje janë publikuar edhe dhjetë emrat për "Lojtaren më të Mirë në Botë". Në votime marrin pjesë kapitenët dhe trajnerët e ekipeve kombëtare, ndërsa në fillim të dhjetorit FIFA do të zbulojë pesë meshkujt dhe femrat që kanë marrë më shumë vota. Çmimet do të ndahen më 21 dhjetor, në një mbrëmje gala në Zyrih të Zvicrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›