"Elementë ekstremistë po na përçajnë para zgjedhjeve"
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, iu kundërpërgjigj padisë së bërë nga disa anëtarë të Këshillit Drejtues ndaj tij, duke thënë se konfliktet dhe mosmarrëveshjet po nxiten nga një dorë ekstremiste. "Ka kundërshtarë, që po gënjejnë, manipulojnë dhe përçajnë. Disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia po acarojnë situatën dhe po sulmojnë Komunitetin Mysliman Shqiptar", tha Selim Muça. "Lajmërimin ne ua bëjmë myftinive në të gjithë Republikën. Çdo gjë bëhet në përputhje me statusin. Unë kam të drejtën ligjore të shpall kandidaturën time. Dyert janë të hapura edhe për kandidatët e tjerë", tha kryetari i Komunitetit Mysliman, duke kundërshtuar akuzën e manipulimit të procesit zgjedhor në këtë institucion. Ndërkaq, rebelimi i imamëve kundër procesit të zgjedhjes së Kryetarit të ri të Komunitetit Mysliman ishte dje në rendin e ditës në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm dhe asaj të KMSH-së. Burimet zyrtare thanë në një deklaratë shtypi se "Të dy kryesitë, unanimisht arritën në përfundimin se procedurat për propozimin e kryetarit të KMSH-së janë kryer dhe zbatuar në bazë të statutit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë". Sipas burimeve, Këshillit të Përgjithshëm deri ditën e mbledhjes do t'i paraqiten nga kryesia e KMSH-së jo më pak se dy kandidatura për kryetar. Përveç propozimeve të kryesisë është lënë e hapur dhe priten propozimet për kandidatura të tjera në bazë të pikës 1 të nenit 27 të statutit nga një grup prej jo më pak se 20 anëtarësh të Këshillit të Përgjithshëm. "Bëjmë me dije se në bazë të statutit të KMSH-së nuk përcaktohen afate paraprake për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të KMSH-së. Madje, në bazë të statutit, 20 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm kanë të drejtë të paraqesin kandidaturë edhe ditën e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm", thuhet në deklaratën e Komunitetit Mysliman. Ndërkaq, lidhur me konfliktin mes kryetarit aktual të Komunitetit dhe imamëve që janë shprehur kundër mbledhjes së thirrur më 21 mars 2009 për zgjedhjen e kreut të ri të komunitetit, ka reaguar dhe edhe Myftinia e Pukës. "Myftinia e Pukës është njoftuar për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH që javën e kaluar. Në njoftim është pasqyruar edhe rendi i ditës. Si ka mundësi që një mysliman të thotë që nuk janë njoftuar anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm? Si ka mundësi ne si myslimanë të zgjedhim median, gjy-katën për të zgjidhur një problem nëse është, por nuk bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin si vëllezër myslimanë?", pyet myftiu i Pukës Gëzim Kopani në deklaratën e shpërndarë dje prej tij. Ai tha më tej se: "Nëse një grup besimtarësh bëjnë reagime të tilla duke "mbrojtur" statusin e Komunitetit mos të harrojnë se ata kanë shkelur Kur'anin pra, nuk kanë dialoguar". Deklarata mbyllet me fjalët: "Myftinia e Rrethit Pukë bën thirrje që të ulemi në dialog". tr.so
Imamët padi në gjykatë kundër Selim Muçës
TIRANE - Zgjedhjet për kryetarin e ri të KMSH-së, që do të zhvillohen në 21 mars, kanë sjellë përçarje brenda bashkësisë islame. Anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH si dhe imamë kryeqytetas, dorëzuan në gjykatë padinë civile kundër Komunitetit, duke u kërkuar togave të zeza të shpallin të pavlefshme mbledhjen e këtij këshilli në medresenë e Kavajës, nga e cila është vendosur të dalë edhe kreu i ardhshëm i myslimanëve. Avokati Isuf Shehu, i ngarkuar me prokurë përfaqësimi nga kundërshtarët e KMSH-së, pohoi dje se klientët e tij i ishin drejtuar gjykatës për zgjidhjen e këtij konflikti. "Ne kërkojmë prej togave të zeza që të pezullojë procedurat dhe të vendosë anulimin e zgjedhjes së kryetarit të komunitetit", tha juristi Shehu, i cili konsideron shkelje edhe mungesën e kandidatëve, përveç kreut aktual, Muça. Sipas tij, mosnjoftimi i kandidatëve të tjerë është thjesht një lojë procedurale me të cilën nuk mund të bihet dakord. fa.ma.