E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në Itali, si të marrin lejen për punësim

 

zirina llambro

Studentët shqiptarë në Itali mund të konvertojnë lejen e qëndrimit për shkollë në leje për punë. Këtë klauzolë e ofron shteti fqinj por në këmbim të plotësimit të një sërë kushtesh. Gjithashtu, nga sa sqarojnë ekspertët tanë të emigracionit, janë përcaktuar edhe kriteret e ripërtëritjes së lejes. “Leja e qëndrimit për studim mund të shndërrohet në atë për punë, duke përfituar nga kuota përkatëse në suazën e programimeve të flukseve për punë, duke demonstruar plotësimin e kërkesave të përcaktuara të normativës për tipologjinë e punës së kryer”, bëjnë me dije specialistët e Ministrisë së Punës në vendin tonë, duke ju referuar ligjit italian. Sipas tij, konvertimi mund të kryhet nga të huajt, tashmë i pranishëm, rregullisht në territorin kombëtar, me mbushjen e moshës së të rriturit. Gjithashtu të njëjtën procedurë mund ta bëjnë ata persona që kanë  marrë në Itali diplomën universitare, apo diplomën e specializuar pas ndjekjes së kursit përkatës të studimeve. “Leja e qëndrimit për studim autorizon (lejon, mundëson) ushtrimin e aktiviteteve të punës me kohë të pjesshme për një maksimum 20 orësh në javë dhe me një kufi vjetor 1.040 orësh”, nënvizojnë ekspertët.
Rinovimi
Në përputhje me rregullat e shtetit fqinj, leja e qëndrimit për studim mund të ripërtërihet vetëm, nëse viza e hyrjes është lëshuar për ndjekje të kurseve të studimit shumëvjeçar. Ajo për  çdo rast nuk mund të (rinovohet) për më shumë se tre vjet, përtej kohëzgjatjes së kursit të studimeve shumëvjeçare. “Leja e qëndrimit për studim nuk mund të përdoret, apo ripërtërihet për ndjekjen e një kursi tjetër, të ndryshëm nga ai për të cilin u lëshua viza e hyrjes, me përjashtim të kalimit në një fakultet tjetër, miratuar nga Autoriteti Akademik dhe ndjekjes së një kursi tjetër të tipit universitar, të ndërmarrë në përfundim të ndjekjes në Itali, ose të një kursi të nivelit “medio/superiore”, përcakton ligji italian. Ndërkaq Universitetet në autonominë e tyre promovojnë qasjen e të huajve në kurset universitare, duke pasur parasysh kuotat e vendosura çdo vit për të huajt dhe duke nënshkruar marrëveshje të posaçme me institucionet e Arsimit të Lartë të huaja për lëvizshmërinë studentore. Për t’u bërë pjesë e kurseve universitare është e domosdoshme të zotërosh një titull studimi të një shkolle të lartë të ndjekur në Itali, apo të barazvlefshmin, nëse e ke ndjekur jashtë. Ndjekja e kurseve universitare i lejohet edhe të gjithë të huajve në Itali që zotërojë kartë qëndrimi apo leje qëndrimi për motive punësimi, motive familjare, azili politik, azili humanitar, motive fetare. Leja e qëndrimit e lëshuar për motive studimi dhe formimi profesional mund të shndërrohet/konvertohet para skadencës së saj në leje qëndrimi për motive punësimi, duke pasur parasysh kuotat e posaçme që vendosen në dekret flukset vjetore.

dokumentet per leje qendrimi

Fotokopja e pasaportës, apo i një dokumenti tjetër të barazvlefshëm 

Për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit duhet të paraqiten:

1) fotokopja e certifikatës që provon kursin studimor që do të ndiqet, e vizuar nga Përfaqësia Diplomatike/Konsultore italiane, pas lëshimit të vizës së hyrjes;

2) fotokopje e policës së sigurimit, e vlefshme në territorin kombëtar për periudhën e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit, kundër rreziqeve të sëmundjes dhe/ose aksidenteve.

Për (rinovimin) e lejes së qëndrimit duhet të paraqiten:

1) fotokopja e dokumentacionit, që provon zotërimin e burimeve të duhura financiare për periudhën e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit. Studenti punëtor mund t’i provojë të ardhurat, fotokopje e policës së sigurimit, e vlefshme në territorin kombëtar për periudhën e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit, kundër rreziqeve të sëmundjes dhe aksidenteve;

2) fotokopje e certifikatës, që provon kalimin e të paktën  një prej provimeve të përfitimit për ripërtëritjen e parë dhe të paktën të dy provimeve për ripërtëritjet e tjera të lejes së qëndrimit, me përjashtim të shkaqeve për forcë madhore.

Italia: Shqiptarët duhanpirës të “betuar”

Në grupin e emigrantëve, duhanpirësit më të “betuar” janë meshkujt shqiptarë. Kjo ka rezultuar nga studimi që ISTAT ka kryer në Itali. Gjithsesi, sipas specialistëve, në krahasim me italianët të huajt pinë më pak duhan. Por kanë të njëjtat probleme me bilancet. “Mes grupeve kryesore, sipas shtetësive shënohen ndryshime. Kështu, mes meshkujve që pinë duhan janë 42 % e shqiptarëve, 38 % e rumunëve dhe  33% e marokenëve. Ndërsa mes femrave 28% e rumuneve, 4% e shqiptareve dhe 1 % e markoneve”, ka konkluduar ISTAT. Sipas këtij instituti, në veçanti duhanpirja është e përhapur në 28 % të meshkujve dhe 15 % të femrave të grupmoshës 14-64 vjeç, krahasimisht me 31 % dhe 28 % të italianëve përkatësisht. Mes të huajve, obeziteti dhe mbipesha klinike, në përgjithësi me përqindja të përafërta me italianët janë më të përhapura, si mesatare mes  meshkujve shqiptarë dhe femrave marokene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›