Financat e pranuan krizën që në korrik
Në fakt, Ministria e Financave ka parashikuar që në korrik që ekonomia shqiptare është ndikuar ndjeshëm nga kriza. Në relacionin që shoqëronte vendimin për pezullimin e tenderave pas datës 3 gusht, theksohej qartë se arka e shtetit është varfëruar. “Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, sipas të dhënave operative të ardhurat e mbledhura nga tatimet e mbledhura nga tatimet e doganat kanë patur një mosrealizim rreth 5.4 për qind kundrejt planit të parashikuar në buxhetin e vitit 2009. Duke u mbështetur në treguesit ekonomikë afatshkurtër dhe pritshmëritë, parashikohet që edhe për gjysmën e dytë të këtij viti të ardhurat e buxhetit të shtetit të kenë një tkurrje në krahasim me planifikimin fillestar të tij pak a shumë në të njëjtat ritme. Nisur nga të dhënat paraprake të realizimit të të ardhurave për 6-mujorin e parë 2009, dhe të parashikimeve të përafërta për realizimin e pritshëm të tyre deri në fund të vitit, del e nevojshme kufizimi i menjëhershëm i shpenzimeve operative dhe kapitale”.