Lame: Në krye të PS, Rama duhet të ndryshojë sjellje
Adi Shkëmbi
Anëtari i Asamblesë Socialiste dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Edi Ramës, Artan Lame, analizon arsyet pse PS-ja humbi zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, Rama duhet të drejtojë PS-në, por ai duhet të ndryshojë shumë në marrëdhëniet e tij me forumet e saj.
Asambleja e mbledhur në fund të korrikut, vendosi thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm. Gjatë kësaj periudhe kanë dalë dy teza të ndryshme lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit dhe pozicionin që duhet të mbajë PS, një tezë sipas të cilës zgjedhjet janë të papranueshme, duhet kontestuar dhe duhet të kërkohen zgjedhjet e parakohshme dhe një tezë tjetër sipas të cilës megjithë parregullsitë që janë vërejtur në zgjedhje, PS-ja i humbi ato, kryetarit Edi Rama duhet t’i ndërpritet mandati dhe të hapet gara për kryetarin e ri. Si i komentoni ju këto teza dhe cilën prej tyre mbështesni?
Ky debat tashmë më duket mulli që bluan bosh, pasi kryetari tashmë ka dhënë dorëheqjen dhe në fund të gushtit do të mblidhet Kongresi, që do të merret pikërisht me procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri. Të vazhdojmë debatin për këtë temë, do më dukej vetja si zogistët që vazhdojnë t’i thonë Leka Zogut mbret, edhe 70 vjet pasi e ka humbur fronin.
Mesa duket nga qëndrimet e mbajtura deri tani, kryetari i PS-së Edi Rama, do të rikandidojë për marrjen e këtij posti. Ju e mbështesni rikandidimin e tij?
Populli socialist, Partia Socialiste dhe qeverisjet socialiste, kanë investuar aq shumë tek Edi Rama në gjithë këta vjet, sa nuk mund ta çojnë dëm gjithë këtë investim me një llaf goje. Them populli socialist, pasi njerëzit e thjeshtë në shumë raste kanë qenë të gatshëm të mbyllin sytë para shumë gjërave dhe të mos bëzajnë edhe kur kanë pasur ankesa, në funksion të mos cenimit të figurës së Edi Ramës. Them Partia Socialiste, pasi socialistët kanë mbyllur sytë para shumë shkeljeve dhe deformimeve në jetën e brendshme të Partisë, në funksion të mos cenimit të figurës së Edi Ramës si lider politik. Dhe them qeverisjet socialiste, pasi gjatë gjithë atyre viteve, Edi Rama qoftë si Ministër e qoftë si Kryetar Bashkie, është mbështetur financiarisht gati në mënyrë të pakushtëzuar në funksion të krijimit të figurës së qeveritarit të suksesshëm. Tani që i gjithë ky investim është kryer, mendoj se nuk mund të hidhet poshtë tak-fak. Për të marrë rezultatin e gjithë këtij investimi të kryer, Edi Rama duhet të qëndrojë si kryetar i Partisë Socialiste, por me domosdoshmërinë që shumë gjëra të ndryshojnë. Duhet të ndryshojnë raportet e tij me partinë dhe forumet drejtuese të saj, forume të cilat pak ose aspak e kanë kryer rolin e tyre këto vitet e fundit. Duhet të ringjallet solidariteti i brendshëm në radhët e partisë dhe, jo aq solidariteti horizontal midis anëtarëve të së njëjtit nivel, por solidariteti vertikal midis niveleve të ndryshme strukturore të partisë. Duhet të rivendoset sistemi i vlerave në Parti, pasi në këto vite çfarëdo vlere apo kontributi i dhënë prej kujtdo, u asgjësuan brenda një dite nga makinacionet e momentit të fundit. Duhet ta rikthejë Partinë Socialiste në atë që ka qenë tradicionalisht, në koaguluese e pjesës dërmuese të mendimit intelektual shqiptar. Vetëm me këto “duhet” dhe me të tjera “duhet” që mund të diskutohen, shtohen apo propozohen edhe nga vetë Kryetari, Edi Rama do të jetë në gjendje të prodhojë atë frymë fitoreje dhe impenjimi të njerëzve, që do të jetë i domosdoshëm për të arritur fitoren e ardhshme.
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit një prej tezave të artikuluara nga figurat që kërkojnë largimin e Ramës ishte edhe fakti se projekti i tij “përtej së majtës dhe të djathtës” ka dështuar. Keni dhe ju të njëjtën bindje?
Unë vetë jam socialist, jo thjesht si derivat i mbajtjes së një tesere, por si formim dhe bindje personale dhe nga kjo pikëpamje nuk është se më ka pëlqyer shumë kjo tezë, e cila mund të ketë kuptim dhe është bërë e modës në shoqëritë post-industriale moderne perëndimore, ku dallimet midis krahëve politikë po zbehen gjithnjë e më shumë, si rrjedhojë e vetë zbutjes së dallimeve klasore dhe shoqërore. Mirëpo këtu i thonë Shqipëri, ku ende i varfri është ai i kohës së Migjenit që s’ka të mbushë barkun me bukë, ku ende kapitali është ai i egri dhe pa rregulla i kohës së Marksit, ku fëmija shkon të nxjerrë mineral nëntokë si në kohën e Anglisë së fillim-shekullit XIX. E pra në këto kushte, jemi ende larg shuarjes së dallimeve majtas-djathtas. Nëse pastaj kjo parullë u rimor me qëllim që të bashkonte njerëzit kundër Berishës, si qëllim mund të jetë i mirë, por fakti tregoi se nuk bashkoi njeri.
A kishte realisht program Partia Socialiste për të qeverisur vendin veç shtatë pikave dhe 1,000 faqeve të nxjerra në publik nga kryetari Rama?
Kjo puna e programit është një prej atyre gjërave që realisht më acaron. Jo thjesht sepse kam qenë pjesë modeste e hartimit të atij programi, por se jam realisht i bindur se Programi i PS ishte një vepër e vërtetë e grumbullimit të dijeve, problemeve dhe rrugëzgjidhjeve të tyre. Ndoshta ajo që çaloi ishte paaftësia për ta “shitur” siç duhet atë në opinionin publik. PS-ja është akuzuar disa herë për një lloj fryme fasade, aq sa kjo puna e fasadës pa përmbajtje, është kthyer edhe një farë anekdote popullore. Por, nëse në raste të tjera kemi pasur fasadë pa përmbajtje, kësaj radhe kishim një përmbajtje të shkëlqyer të cilës nuk qemë në gjendje t’i ndërtonim një fasadë të mirë.
Sa për punën e atyre 1,000 faqeve që mbante në sqetull Kryetari, mua vetë më vinte të plasja sa herë dëgjoja batuta lart e poshtë nëpër media, sikur ato faqe ishin të bardha. Jo, ato fletë ishin plot me rezultatet e punës dyvjeçare të një morie njerëzish të përkushtuar.
Një tjetër arsye e humbjes së PS-së, sipas kritikëve të Ramës, është edhe përbërja e listës me 140 kandidatë. Mendoni se kjo listë ka ndikuar realisht në mbetjen në opozitë të PS-së pas 28 qershorit?
Kjo e kandidaturave jo të mira, është e treta pyetje që po më bën rreth arsyeve të humbjes së PS-së. Po të vazhdosh mund të nxjerrësh edhe nja tre të tjera dhe unë mund të shtoj edhe një herë aq. Pra, mund të nxjerrim një duzinë arsyesh për humbjen, por që asnjëra prej tyre nuk është vendimtare për humbjen, asnjëra prej tyre veçmas nuk e vendosi rezultatin, ndërsa të gjitha bashkë e dhanë efektin. Në një betejë politike, si në çdo betejë tjetër, janë një mori faktorësh që ndikojnë tek rezultati. Aftësia e Komandantit është që t’i marrë parasysh të gjithë këta faktorë dhe të asnjanësojë efektet e sa më shumë prej tyre që para betejës. Pastaj gjatë betejës, nëse nga kjo mori faktorësh, ndikojnë negativisht vetëm dy apo tre prej tyre, beteja është e fituar. Përshtypja ime është që në këtë betejë ne nuk qemë në gjendje të asnjanësonim gati asnjë prej faktorëve negativë, që ishin identifikuar që gjatë fushatës. Kështu që ata faktorë, që të veçuar nuk qenë në gjendje të na çonin në humbje, të grupuar bashkë na çuan në disfatë.
I pari që ka shpallur kandidaturën për kreun e PS është ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ndërkohë që një gjë të tillë pritet ta bëjë dhe ish-kryetari i grupit parlamentar dhe anëtari i kryesisë, Ben Blushi. Si i shikoni këto dy kandidatura dhe cilat janë sipas jush shanset reale që kanë ata për të marrë drejtimin e partisë?
Unë nuk jam as kundër Ramës, as pro Blushit e as kundër Malajt. Unë jam me Partinë Socialiste dhe, për rrjedhojë, me atë që do të jetë në gjendje ta çojë këtë Parti në fitore. E shpreha më sipër se jam i bindur që, një Edi Rama me raporte të tjera ndaj njerëzve dhe partisë, është në gjendje të prodhojë fitoren. Vetëm nëse ti je në gjendje të më sigurosh se ai nuk ka ndërmend të ndryshojë asgjë në këto raporte, ka kuptim të flasim për kandidatura të tjera për kreun e Partisë Socialiste.