Kriza, në shtator buxhet i ri, tkurren shpenzimet
Pavarësisht deklaratave optimiste qeveritare, Ministria e Financave po bën gati ndryshimin e buxhetit. Ndryshe nga vitet e tjera, kur në shtator Kuvendi miratonte rritje të shpenzimeve, këtë vit qeveria do të sjellë në Kuvend një buxhet të ri, që “qeth” fort të gjithë zërat e investimeve në të gjitha ministritë. Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve për investime deri në fund të qershorit, kanë detyruar financat të propozojnë në qeveri rishikimin e shpenzimeve të buxhetit. E thënë më thjeshtë, qeveria nuk ka më para për të kryer investimet dhe shpenzimet që kishte parashikuar. Në këto kushte, dy janë rrugët. Ose të rritet borxhi dhe investimet të vazhdojnë, ose të ndalohen investimet. Duket se financat kanë gjetur si rrugë të parën. Në shtator, qeveria e re do të kërkojë votën e deputetëve për një rishikim në tkurrje të buxhetit. Efekt i drejtpërdrejtë i krizës financiare, që pavarësisht fjalëve, me vendime dhe shkresa zyrtare qeveria shqiptare e pranon.
Ndarja e re
Sipas Ministrisë së Financave, buxheti i ri synon një rindarje të shpenzimeve. Financat nuk pranojnë se kemi të bëjmë me një krizë të ardhurash, por me një rishpërndarje të tyre. Sidoqoftë, vetë të dhënat fiskale tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një mungesë të ardhurash jashtë parashikimeve optimiste me të cilat u hartua buxheti 2009. Kjo është amplifikuar më shumë edhe nga rritja e shpenzimeve, deri para datës 28 qershor. Sipas financave, ndryshimi i buxhetit bëhet për të shpëtuar fondet që disa ministri nuk mund t’i shpenzojnë për investime deri në fund të vitit. Në fakt, financat miratuan në qeveri një vendim që i pezullonte të gjithë tenderat, pra edhe investimet dhe shpenzimet, nga data 3 gusht. Kjo e justifikuar hapur për efekt të krizës financiare dhe uljes së të ardhurave në buxhet. Edhe rishikimi i buxhetit, pas këtij vendimi do të thotë se ato para që janë mbledhur do të drejtohen në sektorë të caktuar, kryesisht në Ministrinë e Transporteve, duke lënë pa investime ministritë e tjera. Vetë zv.ministri i Financave pranon se Ministria e Transporteve mund të jetë përfituesja kryesore e rishpërndarjes së buxhetit. Kjo me një lidhje të fortë të punëve të përuruara para datës 28 qershor. Shumica e këtyre shiritave ishin punë që fillonin nga tenderat e kësaj ministrie. Mungesa e të ardhurave në buxhet ka sjellë uljen e parave të parashikuara për investimet në buxhet. Për këtë arsye, qeveria ka zgjedhur që ato para që mblidhen të shkojnë në rrugët dhe ujësjellësit e nisur dhe përuruar para korrikut dhe jo për investime apo shpenzime të ministrive dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Duket se punët e nisura nga qeveria kanë qenë jashtë planifikimit për t’i mbuluar me fonde. Vetëm pak ditë më parë, qeveria preku fondin e kontigjencës me rreth 40 milionë dollarë për t’ia dhënë Ministrisë së Transporteve. Por këto para nuk kanë mjaftuar për të mbushur kërkesën për financime të punëve që tani janë përuruar dhe filluar zyrtarisht dhe mediatikisht.
TË DHËNAT ZYRTARE
(në milionë lekë)
Totali i të ardhurave
155,896
-11,125
Të ardhurat tatimore
143,009
-9,892
Nga tatimet dhe doganat
107,191
-6,472
Tatimi mbi vlerën e shtuar
55,211
-3,085
Tatimi mbi fitimin
10,575
-1,148
Tatimi mbi të ardhurat personale
10,657
+3,043
Akcizat
19,831
-5,435
Të ardhurat nga pushteti vendor
9,541
-2,656
Totali i shpenzimeve
181,701
-5,375
Shpenzime kapitale
44,129
+2,510
Financimi i deficitit
25,805
+5,754