Zbulohen të hedhur në koshin e plehrave 2.5 kilogramë hashash
TIRANE – Në rrethana të paqarta, një sasi droge është gjetur dje pranë disa kazanëve me plehra në Tiranë. Policia e Komisariatit Nr.3 të Tiranës ka gjetur një qese me bimë narkotike, pranë një vendi grumbullimi plehrash, në rrugën “Pandi Dardha”, në afërsi të Laprakës. Burime nga Policia thanë se tashmë ka nisur procedim penal dhe po punohet për identifikimin e personit që ka hedhur bimën narkotike në rrugë. Shërbimet e Policisë, që po patrullonin zonën përreth Laprakës, rreth orës 08:30 kanë parë një thes letre ngjyrë kafe të dyshimte dhe kanë ndaluar ta verifikojnë. Thesi është gjetur pranë pallatit nr.44 në rrugën “Pandi Dardha”, në cep të koshit të mbeturinave dhe sipas Policisë ishte pak i grisur në fund. Pasi është kontrolluar, brenda tij janë gjetur disa qese farmacie të mbushura me bimë ngjyrë jeshile, që pas verifikimit rezultoi të ishte kanabis sativa. Sipas burimeve nga Policia, qesja me një peshë rreth 2.5 kilogramë hashash, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Qesja me të gjithë sasinë e bimës narkotike brenda saj u dërgua menjëherë për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore për kryerjen e analizave kimike, si dhe për gjetjen e gjurmëve të gishtave, gjë që mund të orientojë policinë drejt “pronarëve”. Nga mënyra se si ishte ndarë bima narkotike, në dhjetëra qese të vogla farmacie, sipas Policisë ishte e përgatitur gati për shitje. Por, ende nuk dihen motivet që mund t’i keni detyruar “shitësit” që ta braktisin thesin e letrës te koshi i mbeturinave. Nisur nga rezultati i laboratorit të Kriminalistikës, policia ka nisur verifikimin në sistem të gjurmëve të gishtave, për të zbuluar ndonjë autor të mundshëm.