E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumenti i 100-vjetorit, 80 projekte në garë

Berisha duke parë bocetet e paraqitura në konkursin për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë - Disa nga bocetet konkurruese, vendosur në Galerinë Kombëtare të Arteve

U mbyll faza e parë e konkursit për pavarësinë.

Një juri ndërkombëtare po shqyrton prurjet. Berisha: Disa prej veprave, në hapësirat publike.

Shqiponja me krahë flamur, gra me krahë shqiponje, përmendore në formë koloseumi, shtatore të Ismail Qemalit Plot 80 bocete kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Dy ditë më parë u përmbyll faza e parë e konkursit ndërkombëtar për realizimin e një monumenti që do të përjetojë këtë jubile të pavarësisë. Janë 61 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe të huaj, që i janë përgjigjur thirrjes për pjesëmarrje në këtë konkurs dhe kanë paraqitur variantet e tyre për këtë vepër monumentale. Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, ky është një ndër konkurset me pjesëmarrjen më të lartë gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Bocetet konkurruese janë vendosur në ambientet e GKA-së, ku edhe do ti nënshtrohen një shqyrtimi dhe seleksionimi radikal nga një juri ndërkombëtare. Veprat e paraqitura ofrojnë përthyerjen e një ngjarjeje të shënuar në fantazitë krijuese të skulptorëve.
Motivet
Mes 80 veprave të paraqitura ka nga të gjitha, që nga format më tradicionale, tek ato më abstrakte. Megjithatë bie në sy tendenca për të pasur sa më shumë shqiponja, qoftë ato në variantin e flamurit, qoftë të shpendit-totem, apo të një femre me forma delikate e me krahë shqiponje, që mund të përfaqësojë Shqipërinë Këtë fakt e ka vërejtur edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili dje vizitoi Galerinë Kombëtare të Arteve, shoqëruar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha dhe këshilltari Neritan Ceka. Të gjitha këto paraqesin diversitet, një larmi e madhe, por bashkohen në idenë e qëndresës së shqiptarëve. Frymëzohen gjerësisht nga simboli i flamurit të tyre, shqiponja dykrenare, e cila stilizohet në dhjetëra forma, por mbizotëron në të gjitha bocetet si ide qendrore. Ministria e Kulturës, Galeria e Arteve, realizuan me shumë sukses këtë konkurs, por vështirësitë e përzgjedhjes janë vërtet serioze pasi është e vështirë, që në këtë seri kaq të bukur veprash të artistëve të mëdhenj shqiptarë, por dhe nga mbarë Europa të përjashtosh nga vendi i pare, tha Berisha. Megjithatë ai shprehu besimin e tij tek juria ndërkombëtare. Berisha i propozoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës që disa prej veprave të paraqitura ti shfrytëzojë për të zbukuruar hapësirat publike të kryeqytetit. Këtu realisht, Kryetari i Bashkisë ka një shans të madh të përzgjedhjes së një serie prej këtyre veprave, për të pasuruar Tiranën me vlerat kulturore që i mungojnë, me vlera artistike që i mungojnë, ndaj dhe vlerësoj se ky konkurs që u hap përbën një avantazh të madh për kryeqytetin e vendit.
Konkursi
Konkursi për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë u shpall më 22 dhjetor 2011 dhe u mbyll më 15 mars. Juria e përbërë nga personalitete të artit në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Itali e Spanjë, nisën shqyrtimin e veprave të paraqitura në konkurs, gjatë ditës së djeshme dhe më datë 21 mars do të vlerësohen 5 bocetet më të mira me sistem pikësh, të cilat do ti paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Kryeministrit. Ndërsa nga data 22 deri më 25 mars, në Galerinë Kombëtare të Arteve të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.

Juria
Pio Baldi
- Drejtor i Muzeut të Artit të shek. XXI në Romë.

Juan Bordes- Akademik, skulptor dhe arkitekt, anëtar i Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura të Spanjës.

Ruben Shima- Drejtor i GKA.

Aurel Plasari- Drejtor i BK

Shyqri Nimani- Artist dhe akademik nga Kosova

Ali Oseku- Artist dhe profesor në Akademinë e Arteve të Bukura

Mumtas Dhrami- Skulptor

Parid Teferiçi- Artist kurator

Marin Biçoku- Arkitekt urbanist.

Berisha: Pallati i Kulturës, shëmtirë e kryeqytetit
Pas Piramidës, duket ndërtesa e radhës që do të ndëshkohet si trashëgimi i diktaturës është Pallati i Kulturës. Bashkia e Tiranës ta çlirojë këtë qytet dhe e garantoj se do të ketë mbështetje të plotë, duke filluar me Pallatin e Kulturës, që përben një shëmtirë të pamerituar për kryeqytetin, një problem madhor për qytetarët e Tiranë, u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në Galerinë Kombëtare të Arteve. Natyrisht nuk është fjala të marrim angazhime, por është fjala për të vërteten, se çdo vendim që do të marrë Bashkia e Tiranës, për ta rivendosur kryeqytetin në platformën europiane, në të cilën lindi, qeveria do ta mbështesë fuqishëm. Tirana është sigurisht qyteti i qytetarëve që jetojnë, por është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Në Tiranë janë aksionerë në rrafshin shpirtëror, kulturor, material të gjithanshëm, të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ndaj, zoti kryetar, unë ju garantoj se do ti mbështes fuqishëm vendimet e Këshillit Bashkiak për të ndarë Tiranën nga ajo periudhë 50-vjeçare, e cila e vërviti kryeqytetin drejt mjegullnajave ballkanike lindore, ndërkohë që ky është një kryeqytet me frymëmarrje, tha Berisha.

Katër konkurse brenda vitit
Brenda këtij viti, MTKRS në bashkëpunim më GKA do të shpallë gjithashtu edhe konkurse publike për realizimin e 4 monumenteve të tjera, të cilat janë: shtatore kushtuar Ismail Qemalit, shtatore kushtuar Mbretit Ahmet Zog, shtatore kushtuar Hasan Prishtinës, si dhe monumenti kushtuar Kongresit të Lushnjës( Ky monument do të vendoset në këtë qytet, kurse 3 shtatoret do të vendosen në Tiranë). Kurse monumentet e realizuara nga MTKRS, të cilat pritet të vendosen, janë: Monumenti i Azem Hajdarit- 3 metra i lartë, realizuar nga skulptori Hektor Dule. Monumenti i ish-presidentit amerikan Thomas Wilson- 3.30 metra, realizuar nga skulptori Gent Tabaku.
sali-berisha-monument sali-berisha-monument1 sali-berisha-monument2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›