Dëshmitarët: U pa në Tiranë gruaja e zhdukur në Kukës

Fllanza Rexhmati, e zhdukur në Kukës prej 5 ditësh
Nisin kërkimet në kryeqytet, pranë Stacionit të Trenit dhe rreth QSUT.
Të afërm të familjes Rexhmati, denoncim në Komisariatin 3.
Të afërm të familjes së gruas së zhdukur në Kukës, Fllanza Rexhmati, kanë denoncuar në Policinë e Tiranës faktin se 38-vjeçarja është parë në kryeqytet. Patrullat e Policisë së Komisariatit Nr.3 dhe Nr.4, janë porositur që të monitorojnë pa ndërprerje zonat nga Stacioni i Trenit e deri afër spitalit “Nënë Tereza”, ku dyshohet se është parë të lëvizë gruaja e zhdukur pesë ditë më parë në Kukës. Nëna e tre fëmijëve, sipas pretendimeve të familjarëve të saj në polici, është parë nga persona të ndryshëm te Stacioni i Trenit në kryeqytet. Personat që kanë sinjalizuar familjen e saj në Kukës janë të njohur të saj dhe pretendojnë se e kanë parë duke ecur e vetme dhe si e përhumbur në rrugë. Menjëherë sapo kanë marrë këtë informacion, të afërmit e 38-vjeçares Fllanza Rexhmati, i janë drejtuar për ndihmë Komisariatit Nr.3 të Policisë së kryeqytetit. Sipas tyre, dëshmitarët u kanë thënë se Fllanza është parë duke lëvizur në rrugët e Tiranës deri te spitali ku është operuar disa javë më parë. Personat që kanë njoftuar familjarët janë të bindur që gruaja që ata kanë parë është Fllanza Rexhmati, por nuk kanë arritur ta ndalojnë, pasi ajo u ka humbur nga sytë brenda pak sekondash edhe pse i kanë thirrur që të ndalojë. Nëna e 3 fëmijëve u largua pesë ditë më parë nga banesa e saj në Lagjen Nr.5 të Kukësit, ndërsa familjarët të alarmuar njoftuan policinë. Fillimisht u dyshua për një rrëmbim të mundshëm, apo ndonjë sulm për grabitje, por nga disa prova të gjetura gjatë ditëve që ajo vazhdon të jetë e “zhdukur”, policia dyshon se 38-vjeçarja mund të jetë larguar me dëshirën e saj.
HETIMET
Përveç kërkimeve që po kryhen prej pesë ditësh nga Policia e Kukësit në qytet dhe në disa fshatra, tashmë edhe Policia e Tiranës ka ushtruar disa kontrolle në zona të ndryshme të kryeqytetit për të zbuluar vendndodhjen e Fllanza Rexhmatit. Fillimisht kanë qenë efektivat e Komisariatit Nr.5 që kanë pyetur disa të afërm të familjes Rexhmati, të cilët jetojnë në zonën e Bathores. Por ka rezultuar që ata nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti me 38-vjeçaren. Ndërsa familja e saj në Kukës është informuar së fundmi, pikërisht nga të afërmit e tyre që jetojnë në Tiranë, se e kanë parë Fllanzën rastësisht te Stacioni i Trenit, duke lëvizur përgjatë unazës, rrugës që të çon tek spitali “Nënë Tereza”. Ata janë pyetur nga policia nëse janë të sigurt që gruaja që kanë parë është Fllanza Rexhmati apo jo dhe duket se ata janë të sigurt, pasi e kanë njohur, madje edhe i kanë thirrur nga larg, por ajo është larguar. Nga ana tjetër, policia sqaron se tashmë është thuajse e sigurt që nëna e tre fëmijëve është larguar me iniciativën e saj dhe versioni i rrëmbimit apo grabitjes deri diku ka rënë poshtë. Patrullave të Policisë së Tiranës, që u është ngarkuar detyra për verifikimin e zonave ku dyshohet se ajo lëviz, i është dhënë edhe një fotografi e Fllanza Rexhmatit, si dhe karakteristikat e saj.
Policia: Gruaja u vetëlargua
Një zyrtar i Policisë së Kukësit ka thënë dje se pista kryesore e hetimit është se 38-vjeçarja është vetëlarguar me dëshirën e saj. “Nuk dimë çfarë ka ndodhur pas ikjes nga banesa dhe motivet që e kanë shtyrë 38-vjeçaren në këtë veprim”, tha zyrtari i Policisë. Ne kemi shqyrtuar të gjitha provat materiale të gjetura në dhomë, dhe pas analizimit të tyre rezulton se ajo skenë krimi me një thikë me gjurmë gjaku, më jelekun e gruas në dysheme dhe gjithçka tjetër, është e inskenuar”, tha një drejtues i Policisë së Kukësit. Ndërkohë në familjen Rexhmati vijojnë pritje-përcjelljet e të afërmve. “Arratisja” e mundshme e gruas duket për ta e dyshimtë, pasi ajo kishte qenë e rregullt në jetë dhe shumë familjare, madje kishte kaluar edhe një sëmundje para 6 muajsh.
ETLEVA DELIA