E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen trupa të pasagjerëve të avionit të "Air France"

Sipas asaj që bënë dje me dije forcat ajrore braziliane mësohet se janë zbuluar trupa e dy pasagjerëve të avionit të shoqërisë "Air France" të zhdukur në mënyrë misterioze të hënën - është konfirmuar tashmë se njëri i përket një prej pasagjerëve të avionit. Burimet thanë se nga një mjet lundrues që merrte pjesë në kërkime qe zbuluar gjithashtu një sedilje e avionit bashkë me një valixhe pasagjerësh. Gjatë orëve të para të ditës, hetues të aviacionit kishin njoftuar se avioni kishte dërguar 24 mesazhe automatike që tregonin se diçka nuk shkonte mirë në bord, përfshi edhe një që njoftonte se piloti automatik qe shkëputur përpara se të zhdukej nga radarët bashkë me 228 njerëzit që udhëtonin me të. Specialistët mendojnë gjithashtu se mund të kenë identifikuar edhe shkakun e tragjedisë, së shkaktuar prej një pajisjeje teknike të përdorur kohët e fundit. Megjithëse bëjnë shumë kujdes të fajësojnë pajisjen në fjalë për tragjedinë, duke parë mosfunksionim masiv të sistemeve të avionit.

Edhe pas analizimit të mesazheve në fjalë, si dhe imazheve satelitore të avionit, hetuesit thonë se kanë ende shumë punë për të bërë për të kuptuar me saktësi shkaqet e rrëzimit të avionit. "Do të dija t‘ju sqaroja se dinamika është e atillë sa janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje", tha Pol Luis Arslanian, kreu i byrosë së hetimit të aksidenteve në Francë. "Nuk e dimë si është përplasur avioni me ujin. Nuk e dimë si mund të jenë përhapur nën ujë pjesët e tij, ndërkohë që duhet të marrim parasysh korrentet ujore", si dhe trajtat e dyshemesë së oqeanit".

Mesazhet e alarmit të dërguara automatikisht nga avioni lënë të kuptohet se avioni mund të ketë qenë duke fluturuar shumë shpejt apo shumë ngadalë në mes të stuhisë ku gjendej përpara se të rrëzohej. Si pasojë, shpjegojnë ekspertët, shkëputja e pilotit automatik mund të ketë shkaktuar rënien e presionit të ajrit në kabinë, ndërkohë që mund të ketë pasur edhe një problem elektrik shumë pak përpara përplasjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›