E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet aventura e 3 vajzave minorene, shitën bizhuteritë e prindërve për të shkuar në Tiranë

KORCE – Zbulohet aventura e 3 vajzave të mitura, që u zhdukën një ditë më parë në Korçë. Gazetarja e” News 24”, Enkeleda Skënderasi ka kontaktuar me prindërit e vajzave, të cilët i kanë treguar se ato kishin vjedhur bizhuteritë e tyre dhe i kishin shitur në një nga argjendaritë e qytetit të Korçës, me qëllim që të siguronin paratë për të shkuar në Tiranë. Mësohet se vajzat kishin me vete një shumë prej 500 mijë lekësh dhe kishin paguar një dhomë në një hotel në kryeqtet për 3 ditë.

Pas publikimit të lajmit në media për zhdukjen e 3 vajzave të moshës 10-13 vjeç, pronari i hotelit ku qëndronin vajzat ka kontaktuar policinë.

Të miturat janë shoqe me njëra-tjetrën dhe banojnë në zonën e njohur si “Lagja e Francezëve” në Korçë. Denoncimi për humbjen e tyre u bë nga familjarët, mbrëmjen e djeshme, të cilët pasi i kërkuan për orë të tëra, pa mundur të gjejnë asnjë shenjë nga të miturat, ju drejtuan uniformave blu.

Ndërkohë policia po heton për të zbardhur ngjarjen, pasi mbetet ende i dyshimtë fakti që 3 vajza të mitura, që nuk kishin qenë asnjëherë në Tiranë, të udhëtojnë të vetme e madje të prenotojnë edhe një hotel.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›