E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet drafti i socialistëve për Parlamentin

Hartuesi i projektdraftit deputeti Ditmir Bushati e ilustron me deklaratën e përbashkët Ashton-Fule të 19 korrikut 2011, duke adresuar rekomandimet e komisionit, në veçanti 12 prioritetet kyçe.

Prioriteti i parë i identifikuar në Opinionin e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria thekson: “Të garantohet funksionimi i duhur i Parlamentit, mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike.

Në funksion të realizimit të këtij prioriteti, socialistët propozojnë 4 ndryshime të rregullores së kuvendit.
Katër propozimet për ndryshim në rregullore janë:

-Votimi i fshehtë;

-Të drejtat themelore të opozitës
-Delegimi i atributeve të Kuvendit në instanca të tjera
-Transparenca e buxhetimit të veprimtarisë parlamentare

Sipas opozitës ndryshimi i Rregullores me vendim nr.115 datë 27.12.2005, pa konsensusin e opozitës eleminon votimin e fshehtë për shkarkimin e anëtarëve të organeve Kushtetuese sic janë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm etj. Socialistët propozojnë që votimi për secilin anëtar të organeve kushtetuese të bëhet me votim të fshehtë dhe jo të hapur, citon Top-Channel.

Si pjesë e reformës parlamentare PS kërkon rikthimin e debatit 60 minutësh në fillim të çdo seancë dhe jo në fund. Në Rregulloren e  Kuvendit nuk është qartësuar ende kuadri normativ i marrëdhënieve të Komisioneve dhe të deputetëve me institucionet e tjera dhe grupet e interesit. Opozita kërkon përcaktime të qarta, pa ekuivokë, që të shmanget çdo pengesë  administrative ndaj procesit ligjbërës dhe kontrollit parlamentar.

Në 20 vjet të parlamentit pluralist thuhet në draft propozim, është zbatuar një normë e pashkruar, që kur fliste kryeministri, kishte të drejtë të bënte komente për çështjen edhe kryetari i opozitës në parlament. Që nga marsi i vitit 2011 kjo e drejtë e opozitës është mohuar totalisht. Ndërsa në fazën e dytë të reformës parlamentare PS do te propozoje krijimin e nje komisioni te perbashket parlamentar me shumicen qeverisese per te adresuar te gjitha mangësitë e evidentuara nga BE. /Start/

                                                                                             2011-09-17 15:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›