E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Fier, hetim në 4 shtete

Dhimitër Gjika, 36-vjeçari i vrarë në qytetin e Fierit

FIER/ Kërkohen të dhëna për veprimtarinë e Dhimitër Gjikës në Itali, Angli e Greqi.

Policia, vigjilencë për dy autorët në pikat kufitare.

Policia u ka vënë “pritë” në kufi dy autorëve të dyshuar për vrasjen e Dhimitër Gjikës në Fier. Identiteti i dy të kërkuarve, bashkë me fotot përkatëse, ndodhet në sistemin TIMS, ndaj ata nuk do të mund të largohen nga Shqipëria, së paku në rrugë legale. Sipas Policisë së Fierit, pas krimit të rëndë u është kërkuar të gjitha pikave doganore, si në rrugë detare, tokësore e ajrore, për të ndaluar shtetasit me inicialet K.K. dhe D.K., si autorë të dyshuar për ekzekutimin e 36-vjeçarit nga Saranda. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ende nuk i është deleguar dosja e krimit Prokurorisë, për shkak se pritet të mblidhen ende të dhëna në lidhje me veprimtarinë e viktimës. Mësohet se Policia e Fierit i ka kërkuar të dhëna Policisë së Tiranës, qytet në të cilin viktima figuron të jetë banues, si dhe Policisë së Sarandës. Gjika ka origjinën nga Saranda, ndërsa dyshohet se ai ishte përfshirë edhe në një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar, që realizohej kryesisht në rrugë detare nga ky rajon.  Njëherazi, policia ka hedhur dyshime se Dhimitër Gjika është implikuar në veprimtari kriminale në disa shtete, ku ka jetuar në emigracion prej 18 vitesh. Burime të Policisë bënë të ditur se nga hetimet e kryera rezulton se 36-vjeçari ka jetuar në Itali, Angli dhe së fundmi në Greqi. Dyshohet se në këto shtete ai është implikuar si vrasës me pagesë. Në sajë të këtyre dyshimeve, Zyra e Interpolit po u kërkon të dhëna tri shteteve të mësipërme, për të mësuar nëse viktima ka precedentë të shënuar.
Tashmë dosja po qëndron e hapur dhe e padorëzuar në Prokurorinë e Fierit, për arsye se ende po priten të dhëna shtesë për viktimën. “Jemi në pritje të fakteve lidhur me jetën e tij private dhe aktivitetin kriminal në qytetet e Tiranës dhe të Sarandës, si dhe po priten po ashtu të dhëna nga Interpoli në tri shtete ku viktima ka jetuar, Angli, Itali dhe Greqi”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. 36-vjeçari Dhimitër Gjika u vra tri net më parë në lagjen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit. Policia arriti të identifikonte autorët e dyshuar në kohë mjaft të shpejtë, por ende nuk ka mundur t’i ndalojë ata.

Banorët tregojnë makinën e krimit
Dy qytetarë fierakë kanë pohuar për grupin e hetimit se pak para se të ndodhte vrasja, kishin parë në lagjen e tyre një makinë të dyshimtë me ngjyrë gri. Pak pas krismave, ata kanë parë makinën që është larguar me shpejtësi. Meqë janë ndodhur në ballkon në këtë moment, kanë pohuar këtë detaj duke dashur të ndihmojnë policinë në hetimin e ngjarjes. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke kërkuar në sajë të të dhënave të siguruara, nëse do të mund të gjejnë ndonjë mjet të braktisur apo të djegur, çka mund t’i ndihmojë ata në hetimin e ngjarjes së rëndë.

PISTAT
Policia e Fierit po heton në dy pista kryesore për ngjarjen. Dyshohet se viktima Dhimitër Gjika mund të jetë përfshirë në ndonjë rrjet të trafikut të drogës. Gjithashtu ka dyshime se ai mund të jetë implikuar si vrasës me pagesë në shtetet ku ka jetuar më parë. Për këtë shkak, tri shteteve u janë kërkuar të dhëna në lidhje me veprimtarinë e viktimës.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›