E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet formacioni, ja si do të luajë Franca

FRANCE- Në mungesë të disa prej lojtarëve kryesorë, si Riberi, Benzema apo Abidal, trajneri Loran Blank ka menduar të hedhë në fushë një formacion me skemën 4-4-2 në ndeshjen me Shqipërinë. Kështu, në portë do të jetë Loris, ndërsa përpara tij, në qendër të mbrojtjes, dyshja Rami-Kabul. Në të majtë do të jetë Patris Evra, ndërsa në të djathtë njëri mes Revejer e Debushi. Në qendër të mesfushës do të jenë M’Vila e Alu Diarra, ndërsa nga krahët Nasri e Maluda. Në sulm do të jetë dyshja Lois Remi-Bafetimbi Gomis.

Ndërkohë, Samir Nasri ka mbyllur polemikat me Loran Blank, të lindura pas ndeshjeve me Shqipërinë e Rumaninë muajin e shkuar. Fantazisti i Mançester Sitit sqaroi se gjithçka ka qenë një keqkuptim i mediave. “Unë nuk kisha asnjë rol në këtë pseudo-konflikt me trajnerin, - deklaroi dje Nasri. – Mendoj se dy-tri ndeshjet e mia të fundit kanë qenë një incident, tani kam shumë dëshirë për të ecur përpara. Nuk dua të marr shumë presion mbi vete, por shpresoj që me Shqipërinë të tregoj sa vlej”, shtoi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›