E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet grabitja me armë, prangoset një nga autorët

Zbulohet një grabitje me
armë, e ndodhur disa
muaj më parë në Vaqar të
Tiranës, ndërkohë që
është arrestuar një nga autorët e
dyshuar. Shkëlzen Sherri është
kapur në banesën e tij në Lezhë,
pikërisht 100 metra larg vendit ku
u gjet makina e djegur, me të cilën
dyshohet se u vodhën 5 milionë
lekë të degës së postës në këtë
qytet. Policia e Tiranës tha se në
kuadër të operacionit policor "Ura
1", janë marrë një sërë masash operative,
duke mbajtur nën ndjekje
të vazhdueshme autorët e dyshuar
të një grabitjeje me armë, me
qëllim dokumentimin dhe kapjen
në kohë të tyre. Kështu, uniformat
blu bënë të mundur kapjen e autorit
të dyshuar të vjedhjes me
armë, e ndodhur në Vaqar më 16
dhjetor të vitit 2008. Autori i dyshuar
i kësaj ngjarjeje është Shkëlzen
Gjin Sherri, 30 vjeç, banues
në Lezhë, i proceduar më parë në
Itali për veprën penale të vjedhjes.
Në ngarkim të tij, Prokuroria e Tiranës
ka lëshuar urdhrin e ndalimit,
sepse akuzohet që është autor i
vjedhjes me armë të banesës në
pronësi të Shaqir Bebas. Sipas të
dhënave të policisë, gjatë kësaj
grabitjeje tri persona të armatosur
kanë hyrë në banesë dhe kanë
marrë 600 mijë lekë, duke u larguar
në drejtim të paditur. Ndërkohë,
përgjatë një kontrolli të imtë të
ushtruar në banesë u gjetën dhe u
sekuestruan në cilësinë e provës
materiale dy armë zjarri, si dhe tre
krehër automatiku me 49 fishekë.
Materialet hetimore të përpiluara
në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë,
ndërkohë që policia tha se është
provuar që Sherri e ka kryer
vjedhjen e mësipërme në bashkëpunim
me tri persona të tjerë, por
për arsye të hetimit nuk mund të
publikohen gjeneralitetet e tyre.
Policia tha se armët e sekuestruara
janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës,
ndërkohë që ka dyshime
të forta se ai mund të ketë
marrë pjesë edhe në grabitje të
tjera. Gjithashtu, policia tha se
pranë banesës së tij është gjetur
edhe makina e djegur, e cila dyshohet
se është përdorur për vjedhjen
e 5 milionë lekëve të punonjësve të
postës, pak ditë më parë në Lezhë.
Ble.Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›