Bujqësia, Vasili: PS kopjoi programin e LSI
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, edhe dje nuk kanë reshtur së replikuari në distancë mes tyre. Përveç çështjes së buxhetit të Bashkisë së Tiranës, objekt është bërë dhe çështja e bujqësisë, që të dyja partitë e majta e kanë trajtuar përmes konferencave kombëtare respektive. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi PS për kopjim të programit të bujqësisë. “Prezantimi i programit për bujqësinë ka filluar kohë më parë, sepse prezantimin e parë publik e ka bërë LSI. Ju e kujtoni, sepse gjithçka u bë publike dhe prioritetet u paraqiten nga një grup ekspertësh dhe kryetari i LSI, zoti Meta. Por, si duket nguti plagjiator, kopjues, që sapo një aktor politik bën një hap të madh përpara, përpiqen ta imitojnë nga prapa apo ta kopjojnë, ne këtë zell e kemi parë dhe pak orë pas asaj darke, kur njerëz që nuk kanë asnjë lidhje fare me procesin dolën dhe belbëzuan gjëra për këtë çështje”, tha Vasili. Sipas tij, programi i LSI-së për bujqësinë është dhe do të jetë shumë i qartë”. “Ne kemi hedhur linjat kryesore të programit. Programi ynë është tashmë i mbaruar, drafti paraprak. Kemi mbajtur premtimin që do të kishin një program të gatshëm”, tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha dje se PS nuk e mbajti premtimin për përgatitjen e programit deri në vjeshtën e kaluar. “Partia Socialiste ka folur për një program që do ta kishte gati që në shtator, që kur nuk mbahet mend, dhe duhet t’ju shpjegojë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me të”, tha Vasili. Nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, i është përgjigjur në distancë Vasilit, duke thënë se PS ka kohë që merret me bujqësinë. “Ne kemi dy vjet që merremi me fshatin dhe Iliri ka një vit që merret me ne. E gjykojnë vetë njerëzit se kush e ka mendjen te punët e Shqipërisë e kush e ka mendjen te punët e shtëpisë!”, u shpreh Bushati. Nënsekretari socialist tha se qeveria Berisha fsheh papunësinë e vërtetë në fshat, ndërkohë që ende nuk ka një program për ta zbutur këtë problem. a.l