E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, dy akuza ish-kryeregjistruesit

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-drejtori i Zyrës Qendrore të Regjis-trimit të Pasurive të Paluajtshme, Artan Gjylbegu, dërgohet i pandehur në gjykatë për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” së bashku me shtatë persona të tjerë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave, ish-kryeregjistruesi është marrë i pandehur për dy akuza, pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë, i cili është mbështetur me të dhëna edhe nga raport-kontrollet e KLSH-së. Prokuroria tha se ish-zyrtari i lartë i Hipotekës Qendrore është hetuar për më tepër se dhjetë raste abuzimi me titujt e pronësisë, kryesisht në Qarkun e Tiranës. Burimet e akuzës thanë më tej se bashkë me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave Artan Gjylbegu është dërguar e pandehur në Gjykatë edhe Merita Qato, ish-drejtoreshë e Zyrës Juridike pranë Hipotekës Qendrore. Dosja penale me nr.728, është dorëzuar në Gjykatë më 21 janar 2009 ndërsa hetimi mësohet se ka filluar në mesin e vitit 2008 rreth shtatë muaj më parë. Në këtë kohë pranë Prokurorisë së Tiranës është paraqitur padia penale që akuzonte zyrtarët për abuzime gjatë ushtrimit të detyrës.
Abuzimet me pronat
Abuzimet për të cilat akuzohen ish-zyrtarët e Hipotekave së bashku me katër persona privatë që kanë kryer falsifikime, bëjnë fjalë për dhënien e padrejtë të titujve të pronësisë si dhe për mbivendosje pronash. Falsifikimet dhe mbivendosjes janë kryer sipas akuzës, duke manipuluar dokumentet dhe duke vënë në shfrytëzim një dispozitë të veçantë të ligjit për Hipotekën, i cili i jepte drejtorit të përgjithshëm kompetencë për ngritjen e një Komisioni Institucional që merrte në shqyrtim aplikime për pronat dhe jepje tituj pronësie. Vendimet e dhëna nga ky Komision, shërbenin për regjistrimin e drejtpërdrejtë të pronës në Hipotekë dhe për këtë shkak dyshohet se vendime të tilla kanë qenë të shumta. “Në prokurori janë hetuar me dhjetëra raste të dhënies së titujve të pronësisë nga ky Komision i ngritur pranë Zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, thanë burimet e organit të akuzës. Sipas tyre, një komision i tillë ishte ngritur edhe nga ish-kryeregjistruesi Artan Gjylbegu.
Mbivendosjet
“Hetimet kanë zbardhur më shumë se dhjetë raste kur ky komision, mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara ka pajisur me prona duke u njohur titullin përkatës personave që nuk ishin pronarë. Për më tepër janë gjetur dhe dokumentuar raste kur për një pronë që ishte në zotërim të zotëruesve të saj është bërë mbivendosje, duke u njohur titull tjetër pronësie mbi sipërfaqe që zinin plotësisht apo pjesërisht pronën ku është mbivendosur titulli abuziv”, thanë burimet e organit të akuzës. Sipas tyre, abuzimet që kanë qenë objekt i hetimit janë konfirmuar edhe nga Kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndërsa kallëzimi është plotësuar edhe nga të dhëna dhe informacione që janë përcjellë në Prokurori edhe nga vetë pasardhësi i Artan Gjylbegut në Hipotekë. Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar mes tyre duke shfrytëzuar secili pozicionin që kishte si dhe kompetencat shtetërore me qëllim realizimin e veprimeve kriminale për të cilat akuzohen.

Të dhënat e dosjes

Regjistrimi në gjykatë më 20 janar 2009
Të pandehurit
•     Artan Gjylbegaj
•     Beg Musta
•     Genc Uruci
•     Ilir Skilja
•     Lirim Troshani
•     Marjana Hoxha
•     Merita Qato
•     Olsi Komici

Akuzat
•     Shpërdorim detyre
•     Falsifikim dokumentesh

Gjylbegu: Akuzohem për 2.8 milionë lekë, çështja duhet të ishte pushuar

TIRANE – Artan Gjylbegu, ish kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i kontaktuar dje më telefon nga gazeta e pranoi faktin se ndodhet nën akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. Sipas tij kallëzimi penal është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe bëhet fjalë për një shumë prej 280 mijë lekësh të reja në lidhje me ca veprime që janë kryer në institucionin e drejtuar prej tij në vitin 2005. Ai pohoi se nuk kishte dijeni nëse çështja ishte dërguar në gjykatë apo jo, pasi nuk kishte marrë njoftim për këtë. Gjylbegu tha se herën e fundit kur ishte interesuar për çështjen ka qenë muaji qershor i vitit të kaluar, kur dosja ndodhej në duart e prokurorëve kryeqytetas. Sipas tij në këtë kohë kishin skaduar të gjitha afatet e hetimit të dosjes, pasi ishte tejkaluar koha e parashikuar nga legjislacioni në fuqi për hetimin e çështjeve të tilla. Pas kësaj ish-shefi i Hipotekës pohoi se kishte menduar se dosja duhet të ishte pushuar për mungesë të veprës penale dhe skadimit të afateve procedurale. Ndërkohë, sipas informacioneve që kishte marrë për këtë dosje, sipas Gjylbegut me këtë çështje nuk është bërë asnjë veprim tjetër hetimor pas qershorit të vitit 2008. Sipas tij zgjatja për një kohë të tillë e hetimit të kësaj çështjeje, duke tejkaluar çdo parashikim ligjor tregon se është dërguar në gjykatë e paplotë dhe në mënyrë të parregullt procedurale. Më tej Gjylbegu tha se tashmë priste që të njoftohej nga gjykata për t’u paraqitur kur të zhvillohej seanca e parë e procesit. Ndërsa mohoi akuzën, ai pohoi se do të paraqitej vetë në gjykim, por deri tashmë nuk kishte marrë njoftim për të. “Kontaktin e fundit e kam pasur me prokurorinë në qershor të vitit të kaluar, ndërsa nga gjykata nuk kam marrë asnjë njoftim. Menjëherë sapo të njoftohem do paraqitem në Gjykatën e Tiranës”, -pohoi mbrëmë Gjylbegu. Ndërkohë seanca e parë e procesit në ngarkim të tij pritet të zhvillohet në ditët në vazhdim, Gjylbegu akuzohet bashkë me të pandehurit; Beg Musta, Genc Uruçi, Ilir Skilja, Lirim Troshani, Marjana Hoxha, Merita Qato dhe Olsi Komici. Sipas prokurorisë ata kanë konsumuar akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa gjykimi do të bëhet nga gjykatësi kryeqytetas Fehmi Petku. fa.ma

Hetimi për plazhin e Gjeneralit

TIRANE – Një çështje e ngjashme në të cilën po hetohen zyrtarë të lartë të Hipotekës, Agjencisë së pronave por edhe avokatë dhe biznesmenë është ajo e Plazhit të Gjeneralit. Tjetërsimi i 48 hektarëve tokë në bregdetin e komunës Synej në Kavajë është bërë objekt i hetimeve të Prokurorisë pas informacioneve të marra në rrugë operative se praktika e dhënies së pronësisë ishte false dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Sipas organit të akuzës, në këtë abuzim janë përfshirë më shumë se dhjetë zyrtarë ndërsa po hetohet edhe ish-kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›