E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbysen mjetet, humbin jetën dy vetë



VLORE/ ELBASAN - Dy persona humbën jetën në aksidente ditën e djeshme. Një makinë me të rinj në Vlorë, doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e një 22-vjeçari, ndërsa në Elbasan përmbysja e zetorit i mori jetën shoferit të tij. Sipas policisë së Vlorës, aksidenti i rëndë, ku humbi jetën i riu Ervis Danaj dhe u plagosën 3 të tjerë ndodhi rreth mesditës, në afërsi të segmentit Cebrat-Babicë. Katër të rinjtë nga Llakatundi udhëtonin drejt Vlorës, por dyshohet se shpejtësia të jetë bërë shkak për daljen e mjetit jashtë rruge e më pas përplasjen me një pemë. Si pasojë e përplasjes një prej tyre, 22-vjeçari Ervis Danaj, ka humbur jetën. Tre të rinjtë e tjerë i kanë transportuar drejt spitalit rajonal të Vlorës. Mbas dhënies së ndihmës mjekësore, njëri prej të rinjve është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shkak se ka qenë më rëndë se dy të tjerët, të cilët ndodhen në repartin e reanimacionit në spitalin e Vlorës. Policia e qytetit po kryen hetime për ngjarjen, për të zbardhur dhe shkaqet e aksidentit. Një tjetër aksident u shënua në Elbasan, kur Fluturim Myrta, 32 vjeç, humbi jetën ndërsa kthehej me zetor drejt shtëpisë. Sipas policisë së Elbasanit, Myrta po kthehej nga tokat në pronësi të tij ku mjeti është përmbysur, duke zënë përfund drejtuesin. Ai ndërroi jetë për shkak të plagëve në spitalin e qytetit. q.b/a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›