Sulmohen me armë pasagjerët e autobusit të linjës Tiranë-Athinë, plagosen tre shqiptarë
Tre shtetas shqiptarë, pasagjerë të autobusëve Tiranë-Ath-inë, mbetën të plagosur nga një sulm me armë në një lokal në qytetin Agrinios të Greqisë, 330 kilometra nga Athina. Ngjarja ka ndodhur në orën 01:00 pas mesnatës së shtunë në orët e para të mëngjesit të ditës së diel. Lajmi fillimisht është bërë i ditur nga mediat greke e më pas është konfirmuar edhe nga Ambasada shqiptare në Athinë dhe nga Ministria e Jashtme në Tiranë. Sipas të dhënave të policisë, në momentin kur ndodhi ngjarja, pranë lokalit që ofron shërbim 24 orë, ishin parkuar gjithsej 5 autobusë pasagjerësh me rreth 250 persona. Shumica e pasagjerëve kishin hyrë në lokal për të pushuar dhe për ushqim, në kohën kur disa persona të maskuar dhe të armatosur me armë automatike Kallashnikov kanë hyrë në lokal. Fillimisht në mënyrë urdhëruese ata u kanë thënë klientëve të ulen dhe të mos lëvizin. Më pas autorët e krimit janë afruar tek banaku i restorantit dhe kanë kërkuar paratë e xhiros. Personeli i restorantit ka refuzuar të dorëzojë paratë dhe në këtë kohë, personat e maskuar kanë qëlluar me armë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur tre pasagjerë të njërit prej autobusëve, të cilët ndodheshin në lokal. Ministria e Jashtme njoftoi dje se personat e plagosur në këtë ngjarje të ndodhur në Greqinë qendrore, janë shtetasit Efimi Bika, 64 vjeçe, lindur në Përmet, Vangjel Stavro, 15 vjeç, lindur në Athinë dhe Soni Hodaj, 29 vjeç, lindur në Fier.
Hetimet për ngjarjen
Sipas hetimeve të policisë greke të cilës i referohet edhe pala shqiptare, dyshohet se autorët e ngjarjes janë të paktën tre persona jo shqiptarë, pjesëtarë të një grupi që kryente grabitje në zonën ku ndodhi plagosja e tre pasagjerëve. Para se të hynin me armë dhe me maska në lokal, autorët e krimit kanë zbritur nga një kodër aty pranë dhe pasi nuk kanë arritur të marrin paratë në restorant, për shkak të panikut të krijuar nga numri i madh i personave të pranishëm, agresorët kanë plagosur tre shqiptarët. Në dalje nga restoranti, autorët e krimit kanë qëlluar disa herë me armë edhe në drejtim të autobusëve që ndodheshin të parkuar pranë restorantit. Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa policia ka nisur kërkimet për kapjen e tyre disa orë më pas. Menjëherë pas ngjarjes, policia greke tha se ka ngritur postblloqe që lidhin zonën ku ndodhi ngjarja me Athinën dhe Kakavijën, por nga kontrollet nuk është arritur të identifikohen persona të dyshimtë. Policia ka marrë në pyetje pjesën dërrmuese të personave që ndodheshin në lokalin ku ndodhi ngjarja të cilët më pas kanë udhëtuar për në Shqipëri.
Të plagosurit
Policia ka thënë se nga tre shqiptarët e plagosur, 64-vjeçarja Efimi Bika, nga Përmeti, ka qenë në gjendje më të rëndë. Ajo ishte plagosur në qafë ndaj edhe mjekimi ka zgjatur disa orë më shumë. Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë, Vangjel Stavro, 15 vjeç, dhe Soni Hodaj, 29 vjeç, pasi kanë marrë ndihmën e parë kanë vazhduar udhëtimin. tr.so
Bashkiaku: Ngjarja,mesazh për pronarët
Kryetari i Bashkisë së zonës ku ka ndodhur ngjarja, ka deklaruar se incidenti i ndodhur me pasagjerët shqiptarë është një ngjarje e ndodhur për larje hesapesh. Kryetari i Bashkisë së zonës ku ndodhi ngjarja theksoi se është shumë e mundur, që tre personat të kenë dashur t'u dërgojnë "mesazh" dy pronarëve të restorantit, që janë një grek dhe një shqiptar. Zyrtarë të Ambasadës së Shqipërisë në Athinë kanë shkuar dje menjëherë në vendin e ngjarjes ku ndodhi plagosja e tre shqiptarëve. Ndërkohë me urdhër të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, drejt vendngjarjes ka shkuar edhe oficeri i kontaktit në Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, Andi Lika. Policia greke ka ngritur postblloqe në të gjithë zonën për kapjen e autorëve të ngjarjes. Sipas policisë janë vendosur patrulla kontrolli në dy anët e vendit të ngjarjes, në rrugën që lidh zonën me Athinën por edhe në krahun tjetër në rrugët drejt Kakavijës. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia ka vazhduar patrullimet e zonave me qëllim kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.