E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shet tre herë tokën e tjetrit, kallëzohet nga biznesmenët

 Xhavit Aruçi është shpallur në kërkim, pasi është denoncuar nga tre biznesmenë ndërtimi
TIRANË- Prokuroria e Tiranës shpall në kërkim Xhavit Aruçin, duke e akuzuar si një "mashtrues" të rrezikshëm, pasi kundër tij rezultojnë tre kallëzime penale për akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha parash. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmojnë lajmin e kallëzimeve ndaj të moshuarit dhe shtojnë se ai është shpallur në kërkim me urdhër të tyre nga policia. "Rreth një muaj më parë, tre biznesmenë ndërtimi i janë drejtuar prokurorisë së Tiranës, duke bërë denoncimet përkatëse për mashtrim ndaj plakut Xhavit Aruçi",-pohojnë burimet nga grupi hetimor. Sipas tyre, plaku Aruçi me anë të disa dokumenteve të falsifikuar i ka mashtruar tre ndërtuesit duke u shitur tokën e një fshatari në Fushë Mëzez tre personave të ndryshëm, që kap vlerën e 7 milionë lekëve të reja. "Kallëzimi është bërë nga tre ndërtuesit, menjëherë pasi ata kanë kuptuar mashtrimin, kur kanë shkuar për të filluar punimet në tokën e shitur tre herë. Gjithashtu, tre ndërtuesit janë ndaluar edhe nga pronari i vërtetë i tokës, i cili i ka vënë në dispozicion hartën dhe çertifikatën e pronësisë së tokës, të trashëguar nga pjesëtarët e familjes së tij",-thuhet nga burimet. Pas këtyre hetimeve paraprake, prokuroria ka urdhëruar policinë e shtetit të shpallë në kërkim Aruçin,i cili është larguar dhe mendohet se strehohet në rrethin e Kukësit në veri të vendit. Sipas prokurorisë, ndaj plakut janë ngritur akuzat e mashtrimit me shuma të mëdha parash dhe falsifikimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›