E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për gjermanët, fotografia fokuson kohën



Pesë artistë gjermanë kanë prezantuar në Tiranë 22 punime në fotografi, të cilat më së shumti paraqesin atelietë dhe hapësirat ku ata punojnë. Ekspozita “Hapësira ime” e artistëve gjermanë vjen pas asaj ekspozite me të njëjtën emër, e çelur katër ditë më parë nga 12 artistë shqiptarë.

I pranishëm në çeljen e ekspozitës së artistëve gjermanë mbrëmjen e djeshme në galerinë “Zeta” në Tiranë ishte dhe Ambasadori gjerman në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, i cili vlerësoi këtë bashkëpunim. Për diplomatin “...fotografia është një simbol i mirë, ajo fokuson kohën”. Fotografitë mbajnë vulën e Katharina Gaennsler, Robert Karl, Beatrice Minda, Andreas Gox dhe Hannes Wanderer. Tashmë imazhet krijuese, të cilat shkrihen në ngjyra dhe në bardh e zi, të japin ndjesinë e spontanitetit dhe thjeshtësisë që vjen dukshëm, të drejtuara në fokusin e hapësirës personale që karakterizon këta artistë. Kuratorja e këtij projekti, Adela Demetja, tha se “koncepti ku janë fokusuar artistët gjermanë qëndron në krijimin ose paraqitjen e atelieve dhe hapësirave ku ata punojnë”. Prej tetorit të vitit të kaluar ajo është kursante e fondacionit “Robert Bosch” në Gjermani, në programin menaxher kulture nga Evropa e Mesme dhe Lindore. Aktualisht punon në galerinë shtetërore “Lothringen 13”, në Mynih (Gjermani). “Qëllimi im është të promovojë artin dhe artistët shqiptarë në Gjerman, gjë që e kam realizuar në disa projekte si ekspozita, koncerte, muzikë dhe ushqim tradicional shqiptar”. “Gjatë qëndrimit në Berlin jam ndeshur me kuratoren gjermane Julie August e cila ishte e interesuar për artistët shqiptarë dhe së bashku ideuam këtë projekt”, - vijoi ajo. Punët e artistëve gjermanë do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 4 gusht, në galerinë “Zeta” në Tiranë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›